“Pse dreqin u ndava me të? Ishte mësuar me mua, isha mësuar me të. Më mbështillej në trup aq shtrëngueshëm e aq lirshëm në të gjitha pjesët e trupit – më bënte të dukem piktoresk dhe të pashëm. Kjo e reja, kaq e ngurtë, kaq e vrazhdë, po më bën të dukem si manekin. Sa për të vjetrën, dorëzohej para meje me bindje të plotë, çfarëdo kërkese që i bëja, sepse të varfërit aq shpejt të përgjigjen për të kryer shërbime. Nëse një libër ishte i mbuluar nga pluhuri, me një të fshirë të robdëshambrës sime të vjetër, bëhej në sekond e pastër. Nëse ngjyra ishte shumë e trashë, dhe s’dilte nga maja e pendës sime, – presto, me skaje të robdëshambrës së vjetër, ajo e kryente edhe atë punë. Po ta shihje me sy, do ta vëreje se sa herë e ka bërë këtë gjë, nga vijat e zeza e të trasha në të. Ato vija ishin shënjuesi i dallimit që shënjon autorin, pjesë e dëshmisë së një punëtori të ndershëm. Tash dukem si një hajvan i pasur, dhe askush kur më sheh s’e thotë dot se cili është profesioni im”.
Kështu e vajton Denis Diderot në esenë e tij auto-portretative “Pendimi që u ndava me rodbëshambrën time të vjetër”, rrobën e tij të vjetër, që e vishte, e që jetonte brenda saj, në studion e tij të pikturës. Kjo ese njihet si një prej skeçeve më të mira të një auto-portreti letrar.
Por ç’do të thotë ky vajtim i filozofit?
E gjithë ajo melankoli, ai ankth për një ekzistencë të shkuar, gjithë ky vetë-ironizim, e vetë-sharje, ky dramatizm i vetes, është askush tjetër përpos filozofit të madh francez, Denis Diderot.
Diderot në këtë ese, synon të nis një revolucion në mendimin mbi veten.
Së pari, ai na tregon jetën e tij brenda studios së tij të pikturës. Një piktor e filozof që e dashuron robdëshambërn e tij të vjetër, e cila s’ishte barrë, por lëkura e tij e dytë. Brenda saj, ishte brenda shtëpisë. Ai ndihej rehat brenda saj.
Por disi, as ai vet s’e kupton, se “Pse dreqin u ndava me të?”
Prej një njeri në rehatinë trupore dhe kreative të tij, ai është bërë i dobët e i marrë, nga njeri i ndershëm, punëtor e i pashpërqendrueshëm, në një njeri të kotë e maniken, që më s’e njeh veten. Me një fjalë, ai është tëhuajësuar nga vetja. Është bërë i huaj nga vetja e prej vetes.
Por çka ishte ajo robdëshambra e vjetër, çfarë kuptimi, çfarë peshe bartte për të? Ajo s’ishte copë rrobe. Assesi jo. Kush e vajton vetëm copën e rrobës. Por ajo ishte pjesë organike e trupit të tij, ai ishte një me të.
Ajo rrobë ishte ndërmjetësuesi i tij mes të qënit i veshur dhe të qënit i zhveshur, ishte kontakti dhe prekja mes intimitetit dhe familjaritetit, ishte prezenca e tij natyrore në botë. Puna e tij.
Atë veshur, ai s’brengosej për gjë në botë. Fshinte pluhurat, ngjyrat, ishte pjesë integrale e profesionit të tij, me të ishte përmbajtësisht një, si në botë, si në shtëpi, si ndër miqsh, si në vetmi. Kjo ishte ëndrra të-qënit-i-njëjtë-tërë-kohën. Permanenca e tij.
Prandaj, vetëmjaftueshmëria e tij vetëmjaftohej në atë rrobë shtëpie.
Ajo ishte jeta e tij e vjetër.
Por tani një alien, një i huaj, një gjë tjetër, një gjë e re, ka hyrë në jetën e tij, që e ka tëhujaësuar autorin nga vetja.
“Një ndërhyrje e keqe futi kokën në jetën time, shtëpinë time, në mbretërinë e qenies time, duke marrë pamjen joshëse dhe falso përmes një rrobe lluksoze. Kjo joshje tunduese, kjo femme fatale, e eroticizmit të pakontrollueshëm, që me ekseset e saj e shndërron njeriun në skllav, dhe e largon nga vetja. Që trupin e ç’njofton nga vetja dhe bukuritë e tij, që rrobat të marrin sinjalin e tregueshmërisë, që krijon mosvazhdimësinë mes vetes dhe botës, shtëpisë dhe botës së jashtme”.
Tashmë, bukuria natyrore, është eklipsuar nga një manekin budalla me rroba lluksoze. Kjo është transformimi i sinjalizuar nga Diderot. Që perceptimin e bukurisë e merr nga vetja, dhe e drejton jashtë për nga shikuesi. Ku bukuria ratifikohet në sy të jashtëm.
Çka është artificiale në këtë kontekst? Është se tashmë bartësi i rrobës së re, s’është zot i vetes, tashmë rroba e re ia konstrukton bukurinë e tij. Tashmë s’është i qendërzuar në vete, por në rrobën e re.
Po pse kjo ese?
Rritja enorme e kapitalit dhe tregut që po vinte në kohën e Diderotit, e bëri gjithkënd kukull pllastike të komoditeve lluksoze që pushtuan shoqërinë. Transformimi ekonomik rapid i Evropës, ardhja në skenë e një shoqërie konsumuese e konsumatore, e bëri njeriun një konsumues apatik të gjithçkaje.
Njeriu nisi të operoj me logjikën e lluksit. Gjithmonë me kërkesa edhe më të mëdha.
Palltoja e tij e re, është logjika e lluksit që i ka shkatërruar logjikën e ndjenjave autentike njerëzore.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Nëse doni të dini më shumë për 11 shtatorin, këta janë titujt e duhur
-
Gillian Anderson: U befasova nga turpi për ndarjen e fantazive seksuale, ende tabu
-
Vajza dhe baronesha: Jeta e jashtëzakonshme e pacientes së vetme lezbike të Freud-it
-
Keanu Reeves nxjerr librin e tij të parë, “The Book of Elsewhere”