Lajme

Të vaksinuarit me Sputnik nuk do të shkojnë dot në SHBA as pas 8 nëntorit


Të paktën 1 milion qytetarë evropianë, të cilët janë të vaksinuar me dozën kundër COVID-19 nga rusët e Sputnik V, nuk do të udhëtojnë dot drejt SHBA-ve as pas datës 8 nëntor, kur hapen edhe kufijtë amerikanë për udhëtarët.

Për 33 vende të botës, ku përfshihen edhe 26 shtetet e zonës Schengen, kufijtë do të hapen.

Po ashtu, mundësi për të udhëtuar drejt SHBA-ve, do të kenë edhe personat e vaksinuar me një nga dozat e aprovuara nga Administrata Federale e Barnave (FDA) apo nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Mirëpo, Sputnik V nuk e ka miratuar asnjë nga dy instancat e pranuara.

Doza nga kjo vaksinë janë përdorur edhe në vende të Bashkimit Evropian. Sllovakia dhe Hungaria janë dy nga shtetet, të cilat e kanë përdorur atë.

Një grua hungareze merr një dozë nga Sputnik V

Në tërësi, në Evropë, rreth 1 milion njerëz janë inokuluar me vaksinën ruse.

Ndërkaq, doza Sputnik të injektuara ka pasur edhe në Shqipëri, por shifrat nuk janë të qarta.

Ndër të tjerë, edhe pse pa pasur miratimin e Italisë, rreth 15 mijë qytetarë e kanë marrë vaksinën ruse në San Marino, pasi shkonin në punë aty.

Këta të fundit e patën miratuar përdorimin e vaksinës së Moskës.

Vetë San Marino ka vaksinuar rreth 70% të popullsisë me ato doza.

Ndërsa personat me Sputnik penalizohen, ata të vaksinuar me doza kineze nga Sinovac apo Sinopharm, përftojnë nga hapja e kufirit me SHBA-të.

Gjithçka duhet është certifikata e vaksinimit, e cila e vërteton procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore