“Lundrimi në internet nëse përdoruesi nuk është i vetëdijshëm se ku hyn dhe se çfarë të dhënash shkëmben, pa marrë masa paraprake, nuk është aspak i sigurt”.
Kështu thotë për Albanian Post eksperti i sigurisë kibernetike, Gëzim Hoxha.
Dita-ditës, rreziku i mashtrimeve në internet, vjedhjes së të dhënave, shkeljeve të sigurisë dhe hacker-imit të llogarive bankare është duke u rritur.
Sipas tij, të gjitha blerjet online vënë në rrezik identitetin dhe i bëjnë përdoruesit të prekshëm ndaj sulmeve kibernetike.
“Para se përdoruesi të dijë për këtë, dikush mund të hacker-ojë llogarinë e tij bankare ose t’i bëjë skedarët të korruptuar”, zbulon ai.
Prandaj dhe nevojiten disa hapa të kujdesshëm për ta bërë lundrimin më të sigurt.
“Disa nga më të rëndësishmet janë përdorimi i një VPN-je, aktivizimi i autentifikimit me dy faktorë, pastrimi i herëpashershëm i të dhënave të cache-it, përdorimi i llogarive të ndryshme të email-it dhe password-eve të ndryshme”, sugjeron eksperti.
Gjithashtu nevojitet të vizitohen faqet e sigurta ose ato me HTTPS, krijimi i një mbrojtjeje të mirë përmes antiviruseve të paguara, si dhe dalja nga çdo llogari kur mbarohet punë.
Me rëndësi është që teknikat duhet të kthehen në “rutinë” para se të niset lundrimi në internet.
“Ngjashëm siç mbrohet vetja çdo ditë, ashtu ndodh edhe me lundrimin në internet”, tregon Hoxha.
“Edhe këtu, kërcënimet priren të fshihen në vendet më të papritura. Përdoruesi duhet të dijë se cila faqe interneti është e sigurt dhe cila jo. Është ky kuptim bazë dhe teknikat shtesë që e bëjnë lundrimin në internet më të sigurt”, vijon ai.
Përmbajtje të padëshirueshme
Reklamat e mbështetura me platforma të ndryshme të quajtura Adware gjenerojnë të ardhura për pronarët e vet, duke krijuar automatikisht reklama në ekran.
Zakonisht, tregon Hoxha, brenda një shfletuesi web-i.
Adware-i krijohet për kompjuterë, por mund të gjendet edhe në pajisjet telefonike. Dhe disa forma janë shumë manipuluese dhe krijojnë një derë të hapur për programet me qëllim të keq.
Por format mbrojtëse të lundrimit të sigurt, shton eksperti, mund t’i mbrojnë përdoruesit deri në një pikë të caktuar.
“Si në jetën e përditshme që ka ndotje akustike, vizuale dhe rreziqe të tjera, edhe në web duhet të kihet kujdes se çfarë klikohet dhe se ku navigohet”, dallon ai.
Gjithashtu është me rëndësi se çfarë shkarkohet dhe instalohet në kompjuter.
Heqja e Adware-it ndihmon në rregullimin e disa problemeve të pamjeve të padëshiruara si popup-et e padurueshme dhe spyware-ët të fshehur.
Ama heqja manuale nuk garanton se përdoruesi do të gjejë të gjithë komponentët.
“Për një zgjidhje të besueshme, këshillohen software të mirë të sigurisë kibernetike që i ndihmojnë përdoruesit të pastrojnë gjithçka që nuk do të mund ta gjenin vetë”, rekomandon ai.
Thuajse të gjithë browser-ët e njohur kanë mbrojtje ndaj përmbajtjeve të padëshiruara. Edhe Google Search-i jep mundësinë që ndaj përdoruesit të mos shfaqen përmbajtje të disa niveleve të tepruara.
Referuar Hoxhës, nevojitet të aktivizohen të gjithë sensorët e mundshëm për një lundrim më të këndshëm dhe në ato korniza që përdoruesi dëshiron.
Mbrojtja e fëmijëve
“Vetë prindërit e gjeneratës së re duhet të jenë të kujdesshëm se si i përdorin mediat sociale dhe se si i përfshijnë fëmijët e tyre në to”.
I këtij mendimi është eksperti. Sepse shembulli i parë janë prindërit, pastaj shoqëria, koha që familja shpenzon online dhe se sa cilësore është ajo.
Midis internetit dhe aplikacioneve të panumërta të mediave sociale, mbajtja e fëmijëve të sigurt dhe njohja e asaj që po shikojnë në internet është një “shqetësim në rritje”.
Hoxha veçon se aplikacionet e kontrollit prindëror po bëhen gjithnjë dhe më të avancuara për t’i ndihmuar prindërit të mbajnë nen kontroll aktivitetin digjital të fëmijëve të tyre.
“Ka pafund platforma të posaçme për të mitur, por duhet të jetë edukata prindërore për t’i mbajtur të sigurt fëmijët në këto platforma dhe fëmijët të kenë mundësinë që të lundrojnë në varësi të moshës që kanë”, thotë ai.
Eksperti i sigurisë kibernetike sjell në vëmendje rastin e dyqanit të aplikacioneve në pronësi të Apple-it, App Store.
Ky i fundit e ka të organizuar mirë idenë që çdo program të kalojë përmes një kontrolli të rreptë përpara se të përcaktohet mosha në të cilën mund të përdoret.
Mjafton që prindi të jetë i përgjegjshëm që t’i lejojë fëmijës së vet lojën që është për moshën e tij. Po ashtu edhe të kujdeset që ta përfshijë atë në ato aplikacione që janë posaçërisht për fëmijët.
“Çka nevojitet është që në asnjë moment të mos ulet vigjilenca kur fëmija ndez pajisjen teknologjike. Në këtë rast, prindi duhet të mendojë ngjashëm sikur fëmija del në rrugë e i ikën nga duart”, krahason Hoxha.
Për të, “këtu gjithçka pritet të ndodhë”.
Hoxha mbështet idenë se mjedisi web është njësoj si çdo mjedis tjetër.
“Gjithçka është e njëjtë si në Evropë apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është globalizim. Vetëm ndërgjegjësimi i mirë shoqëror është zgjidhje”, këshillon ai.
Duke e përmbyllur idenë e tij se “padituria nuk të bën të pafajshëm… më shumë kujdes do t’i bëjë të vegjlit të rriten në atë mjedis që atyre u duhet”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com