Pajisje

Të moshuarit mes kontaktit virtual dhe vetmisë


Sipas një studimi ka rezultuar se personat mbi 60 vjeç, të cilët mbështeten vetëm te kontaktet telefonike dhe ato në internet, ndiheshin më të vetmuar gjatë pandemisë.

“Kontakti virtual në vetvete nuk është i dobishëm për shëndetin mendor të të moshuarve”, ka thënë studiuesi Dr Yang Hu i Universitetit të Lancaster-it për agjencinë e lajmeve “BBC”.

Sidoqoftë, studiuesi ka treguar se kur ky kontakt përdorej për të plotësuar kontaktin ballë për ballë, ai shoqërohej me :mirëqenien e zgjeruar mendore”.

Nga ana tjetër, studiuesit theksojnë se gjetjet e tyre zbulojnë një lidhje, jo një shkak, prandaj dhe kërkohet më shumë hulumtim në këtë drejtim.

I botuar në revistën “Frontiers in Sociology”, studimi u krye nga doktor Yang Hu dhe doktori tjetër Yue Qian, në Universitetin e British Columbia në Kanada.

Lidhur me metodologjinë e ndjekur, ata përdorën të dhëna të mbledhura nga 5 mijë e 148 njerëz të moshuar të moshës 60 vjeçare e lart në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1 mijë e 391 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta, të anketuar para dhe gjatë pandemisë.

“Në të dy vendet, rritja e vetmisë pas shpërthimit të pandemisë ishte më e madhe për të rriturit e moshuar që raportuan më shumë kontakte virtuale”, kanë pohuar studiuesit.

Megjithatë, kanë vënë në dukje se gjetjet treguan vetëm se kontakti virtual shoqërohej me vetminë dhe jo se ishte domosdoshmërisht ky shkaku.

“Është e mundur që njerëzit, të cilët ndiheshin më të izoluar dhe më të vetmuar kishin tendencë të krijonin kontakte virtuale më shpesh”, kanë dalluar ata.

Por doktor Hu ka sqaruar për “BBC” se “rezultatet janë mjaft të fuqishme dhe përshkojnë kontekste shumë të ndryshme në MB dhe SHBA”.

Stresi në internet

Shumë njerëz të moshuar gjatë pandemisë, iu drejtuan teknologjive digjitale për të mbajtur kontakte me miqtë dhe të afërmit.

Por kjo për disa raste mund të ketë rezultate të ndryshme.

Ndër të tjera, studiuesit kanë ravijëzuar edhe ankthin që disa të moshuar përjetojnë me teknologjitë digjitale.

Një mësim mund të jetë “mbrojtja e atyre që duhet të mbështeten në mjetet digjitale të kontaktit nga stresi i mundshëm”, ka sugjeruar doktor Hu.

Ai është i mendimit se kishte një nevojë për të rritur “gatishmërinë digjitale midis popullsisë së plakur për krizat e ardhshme si pandemia COVID-19 dhe më përgjithësisht për të menduar për digjitalizimin dhe plakjen në të ardhmen”.

Gjithashtu ka shtuar për hulumtimin se mund të jetë më mirë të mendohet për kontaktin virtual si një shtesë e kontaktit ballë për ballë, sesa një zëvendësim për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore