“Libri është si një ëndërr, të cilin ti mund ta mbash në duart e tua”, thotë Nail Gaiman, autor anglez.
Atëherë, lind pyetja: A ëndërrohet njëlloj nën “efektin” e teknologjisë?
Për këdo që e ka provuar mund të gjykojë nëpërmjet eksperiencës personale, për të tjerë mund të lexoni më poshtë:
Me përdorimin e internetit në shumë fusha të jetës, jo vetëm për botën e gjerë të informacionit, por edhe mbi çështje të jetës së përditshme, bota po drejtohet nga shfrytëzimit të mjeteve elektronike.
Një nga përfaqësimet e botës së digjitalizuar, është një fenomen i quajtur E-book ose “Libri elektronik”.
Në një përkufizim të thjeshtë, është ai libër, përmbajtja e të cilit është prodhuar në formë digjitale nga kompjuterët, celularët dhe mjetet e tjera.
Kjo ide, për herë të parë, është paraqitur në vitin 1945 nga Van Var Bushen. Kopja e parë e librit elektronik është testuar në vitet 1960. Ndjekja dhe zbatimi i kësaj ideje në praktikë gjatë viteve 1970, ‘80 dhe ‘90 u bë shkak që, më në fund, në fillim të shekullit XXI shumë prej librave elektronikë u ofruan në tregun e botimit dhe publikimit.
Shumë kompani shesin libra elektronikë në Internet, për të cilat blerësi paguan me kartë krediti. Në Shtetet e Bashkuara ka dy kompani të tilla, Amazon.Com dhe Barnes and Noble.
Suksesi më i madh i shënuar për librat elektronikë ka ndodhur në vendet që flasin gjuhën angleze, sidomos në SHBA dhe në Angli.
Sipas statistikave, numri i lexuesve përmes E-book-ut, në SHBA, arrin në 80.1 milionë nga viti 2014-2020.
Çfarë ndodh në Shqipëri me të lexuarin shqip elektronikisht?
Në Shqipëri është krijuar platforma e librarisë virtuale, Audiobooks.al, nga Sigal Uniqa Group Austria. Ky projekt sjell në versionin audio, librat më të mirë të autorëve shqiptarë, por dhe të huaj të përkthyer në shqip, dhe është falas për të gjithë shqiptarët në çdo cep të botës. Aty ofrohen 129 autorë shqiptarë dhe të huaj.
Përmes kësaj platforme, krijuesit synojnë që të nxisin edukimin e qytetarëve shqiptarë dhe shqipfolës, brenda dhe jashtë kufijve, për të kontribuar në kultivimin e dijes tek të rinjtë që i përkasin botës digjitale.
Në një komunikim me Etleva Farruku, nga zyra e marketingut e Sigal Uniqa Group Austria, mësuam se Audiobooks.al deri më tani numëron mbi 50 mijë përdorues nga Shqipëria dhe nga bota, dhe pasurohet çdo ditë me libra, autorë të rinj për të rritur dhe fëmijë.
“Audiobooks.al është një librari audio falas për të gjithë shqiptarët anembanë globit dhe është i aksesueshëm 24 çdo ditë të javës.
Deri më tani janë mbi 170 tituj librash, në këtë platformë, përfshirë edhe përralla për fëmijë dhe mbi 20 mijë dëgjues të përditshëm dhe të aktivë”, raportoi ajo.
Një shifër kjo e konsiderueshme brenda raportit nga statistikat kulturore të 2018-ës nga INSTAT, ku më shumë se 1/3-ta e shoqërisë shqiptare nuk kishte lexuar asnjë libër brenda vitit.
“Pajisjet në ndihmë të leximit nuk përbëjnë rrezik për letërsinë, i vetmi rrezik për letërsinë janë njerëzit. Për shembull, rrezik janë ata njerëz që nuk lexojnë”, ka thënë romancieri dhe skenaristi hungarez, László Krasznahorkai. Bazuar në këtë thënie mund ta konsiderojmë lajm të mirë.
Megjithatë, viteve të fundit janë bërë shumë diskutime lidhur me atë se, cili nga të dy versionet e librit është më i mirë. Njëri është parë si “kërcënim” për vlerën e tjetrit dhe kjo lidhet me arsye të ndryshme si vizuale, edhe ndjesish.
“Përjetimi përmes fletëve”
Secili libër i ka dy histori: historinë e autorit dhe të lexuesit. Kur e mbajmë një libër në duar, ne ndërthurim historitë dhe ndjesia e prekjes është më e afërt.
Libri i shtypur bart një histori brez pas brezi. Pak gjëra të krijojnë lumturi më shumë se një raft i mbushur me libra, sidomos në rastet kur secili prej tyre është gjurmë e rritjes tënde intelektuale.
Kontakti me libra të vërtetë influencon dhe të ardhmen. Nëse u tregoni një libër elektronik fëmijëve tuaj, gjasat janë që shumë shpejt ta anashkalojnë atë.
Një studim i “The Guardian” ka treguar se: njerëzit që lexojnë libra në formë elektronike, kujtojnë shumë më pak nga ajo që kanë lexuar. Kjo sepse, shpërqendrimi i vazhdueshëm bën që truri të mos i regjistrojë informatat.
Ky studim na dëshmon rëndësinë e qetësisë dhe përqendrimit që mund të na ofrojë një libër kur e mbajmë në duar.
Për të njëjtën arsye, shkrimtari shqiptar, Albatros Rexhaj, u shpreh për Albanian Post se nuk lexon romane elektronikisht.
“Unë lexoj elektronikisht, kryesisht gazeta dhe revista, por edhe publikime shkencore, por për gjithçka më shumë e gjej kopjen fizike.
Është thjesht çështje përqendrimi. Nuk mund të përqendrohem për një kohë të gjatë para telefonit apo Ipad-it”, u shpreh ai.
Pavarësisht se ndjesia e kalimit të fletëve të një libri midis gishtave vështirë të zëvendësohet, sondazhet e fundit kanë treguar se leximi i librave elektronikë ka pasur rritje në vitet e fundit. Sipas rezultateve të CIO Albanian, njerëzit, që kanë pajisje për leximin e tyre, deklarojnë se lexojnë më tepër se ata që nuk zotërojnë pajisje të tilla.
Ndër të tjera, kostot luajnë rolin e tyre
Në Internet mund të gjesh mijëra libra falas, ndërsa me vlerën e një libri të shtypur mund të porosisësh 10 të tillë në E-book. Në internet, ata janë të lehtë për t’u gjetur, kursen para dhe kohë.
Mundësia për të lexuar bëhet më e madhe, kryesisht për ata që lidhjen me teknologjinë e kanë të fortë.
Kështu pohon edhe Pedagogu i letërsisë amerikane nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Albert Sheqi.
“Unë jam shumë i dhënë pas e-librave. Unë lexoj të paktën dy deri katër orë çdo ditë në Kindle-in tim.
Kryesisht janë libra në anglisht dhe të lidhur me profesionin tim si pedagog i prozës dhe i letërsisë amerikane”, tha ai, duke theksuar se është mjaft i dhënë pas botës së teknologjisë dhe të librave online.
Vendosni ju!
Shijet në lexim ndikohen nga shumë faktorë, arsimi, profesioni, mosha, gjinia, rekomandimet, gjuhët që flet, dhe së fundmi rrjetet sociale. Mënyrën e leximit e zgjidhni ju!
Siç citon edhe autorja dhe filantropja britanike, Joanne K. Rowling, “S’ka rëndësi në lexohet në Kindle apo në çfarëdo pajisjeje teknologjike, duhet të jemi të lumtur që njerëzit lexojnë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com