Një vit më parë, teksa po gjurmoja librat e radhës në Panairin e Librave, po mbaja ndër duar një botim të rastësishëm.
Titulli diçka i thoshte nënvetëdijes, por hezitova ta marr. Thjesht po e shijoja duke e mbajtur afër vetes.
Meqë listën e titujve e kisha parapërgatitur, me një këmbëngulje të heshtur nuk doja ta prishja rendin.
Personi përgjegjës te stenda duket se qe më i mprehtë. E vuri re hutimin dhe u afrua në qetësi.
“Librat, ende pa i shfletuar… flasin”, më tha.
Ishte mesoburrë, shtatlartë, i veshur me një këmishë të kaltër dhe me pantallona ngjyrë gri. Ende nuk e kisha parë fytyrën e tij.
Buzëqesha dhe u ktheva.
Portreti i tij i shtoi edhe më shumë peshë asaj që kishte thënë. Rrudhat e ballit, sytë e rënduar, mjekra e zbardhur… nuk e fshihnin dot buzagazin kuptimplotë të tij.
“Si kështu?”, e pyeta.
Ai ia hodhi vështrimin librit dhe tha: “Kjo është fuqia e librit”.
Këtë vit, mbahet edicioni i 25- të i Panairit të Librit.
Motoja e kësaj radhe është “Të gjithë jemi lexues”.
Deri më 20 nëntor, ai do të bëjë bashkë në hapësirën e Pallatit të Kongreseve autorë, lexues, botues dhe përkthyes.
Me 97 stenda dhe me më shumë se 100 shtëpi botuese, ky aktivitet i rëndësishëm kulturor i vendit do të finalizohet me ndarjen e çmimeve për librat më të mirë.
Si kaherë, një vend të veçantë zënë edhe trevat shqipfolëse.
Kosova është e përfaqësuar me tre stenda kryesore me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, Shoqatën e Botuesve të Kosovës dhe “Dukagjinin”.
Pastaj Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit.
Kurse Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës.
Është një iniciativë që do të merrte fill në vitin 1998 nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, duke u kthyer në një traditë.
Për gati çerek shekulli, botues, shkrimtarë dhe lexues takohen në muajin më të dashur të librit, në Pallatin e Kongreseve, për Panairin Kombëtar të Librit.
Tirana është qyteti mikpritës, që përgjatë pesë ditëve, frekuentohet nga botues kombëtarë, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Me qëllim inkurajimin e botimeve të reja, por edhe të mëparshmet, Shoqata jep ndihmesën e saj të vyer për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare.
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, e sheh këtë panair të radhës me skepticizëm, duke marrë shkas nga lexuesit e paktë të librave.
“Jemi në një situatë shumë të vështirë. 80 për qind e shqiptarëve nuk lexojnë, i bie që ne punojmë vetëm për atë 20 përqindësh”, ka thënë ai.
Një vit më parë
Në Panairin e mëparshëm të Librit triumfuan katër tituj.
Ndër kryesorët, ka qenë autori Virgjil Muçi, i cili me veprën e tij “Fajin ma ka gjuha”, rroku edhe titullin si “Autori më i mirë” i panairit.
Mbi përkthimin, ka qenë Flavia Kaba, ajo që mori çmimin për shqipërimin e saj të veprës së Carlos Ruiz Zafon, “Qyteti i avullit”.
Çmimi studimi më i mirë ka shkuar për autorin Uran Butka me vëllimin e gjashtë të Mit’hat Frashërit.
Ndërsa, një çmim nderi, e dha edhe Ambasada Franceze në Tiranë, siç është kthyer në traditë tashmë, për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja.
Vlerësimi i ka shkuar në cilësinë e përkthyeses, ministres së Turizmit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila pavarësisht angazhimit politik në vitet e fundit, nuk e ka lënë pas as formimin e saj si përkthyese.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore