Kosova

Të dhënat zyrtare: Prejse Faton Peci është ministër, u rrit importi i grurit të huaj çdo vit


Foto nga Albanian Post

Gjatë tri vjetëve sa është ministër i Bujqësisë, Faton Peci, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) është rritur importi i grurit të huaj.

Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2023 figuron të jetë importuar mbi 130 mijë kilogramë grurë i huaj, derisa një vit më parë ishte importuar mbi 100 mijë.

Ndërsa në vitin 2021, importi i grurit kishte arritur vlerën e afro 100 mijë kilogramëve.

Përkundër këtyre shifrave të ASK-së, Peci u lavdërua për punën dhe avancimin që është bërë në sektorin e bujqësisë.

Madje tri ditë më parë, ai përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve ka theksuar se “Kosova tashmë e ka siguruar bukën e motmotit”.

“Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së Qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit”, shkroi ai në Facebook.

I pari këtij dikasteri, potencoi, po ashtu se Kosova konsumon mesatarisht 260 mijë tonë grurë në vit, derisa ka shtuar se të dhënat flasin për prodhim rekord, së paku 300 mijë tonë grurë të prodhuar.

Ndryshe, ministria që e drejton Peci ishte përfolur gjatë muajit prill të këtij viti edhe për një “skandal” rreth cilësisë së mishit. 

Ishte konfirmuar se kompania kosovare “Apetit sh.p.k” ka blerë mish nga Brazili dhe atë e ka shitur në Shqipëri si mish me origjinë nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet në bashkëpunim ilegale me inspektorët e shtetit.

Po ashtu, Albanian Post, pati raportuar gjatë këtij viti se familjarët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë përfituar subvencione në bujqësi në vlerë prej 50 mijë euro nga ministria e Bujqësisë që udhëhiqet nga Peci.

Tomor Konjufca kishte thënë se kanë përfituar për herë të parë subvencione nga Qeveria Kurti, meqë ishte arsyetuar se u refuzuan nga ato parapraket.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore