Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si “të çuditshme” dhe “të pakuptimtë” lavdërimin e kryeministrit Albin Kurti për Korporatën Energjetike dhe sukseset e tij.
Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike.
“Kur e lexon postimin e tij, të jep përshtypjen sikur ai u është drejtuar jo KEK-ut dhe punëtorëve të tij, por atyre që janë përfitues të mëdhenj të KEK-ut: pra, atyre që i ndjek ligji për afera në KEK dhe blerje të energjisë, atyre që marrin rrogë me kontrata të fshehta nga EPS, por edhe të gjithë dilerëve të energjisë në rajon. Jo KEK-ut, jo, se me asgjë s’ia kanë parë hajrin Albin Kurtit, bile as me bojlerë as me spoilerë”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kurti do të duhej të tregonte sa milionë euro ka importuar rrymë që nga koha kur është kryeministër.
“Përveç 21 milionë euro dëmshpërblim që ka paguar, po të ishte burrë Albin Kurti, ai do të tregonte sa qindra miliona euro ka importuar që nga koha kur është Kryeministër, me çfarë çmimi dhe nga kush. Kurti, këtë ua ke borxh njerëzve të këtij vendi”.
Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe rritjen e çmimeve që është bërë në dy vitet e fundit.
“Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme. Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë”.
Ai ka shtuar se “Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg. Ndryshe, keq do të jetë për gjithë vendin”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së martës ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku kanë nisur punën 149 punëtorë të rijnë.
Në vizitën e tij, Kurti u njoftua rreth sfidave që kanë punëtorët në përditshmëri, duke e vlerësuar lart rolin e KEK-ut si burim natyror të energjisë.
“Si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot”.
Sipas Kurtit, “KEK-u është jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti ynë në tri vitet e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor, nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje”.
Ndërkaq, në Qeverisjen Kurti, ka pasur akuza për punësime familjare në KEK, por që të njëjtat ishin mohuar nga kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë