Kosova

Taravari pas votimit: Pres proces demokratik dhe fer, kushdo që merr më shumë përkrahje do ta uroj


Arben Taravari

Kandidati për President të Maqedonisë së Veriut, nga radhët e koalicionit të partive opozitare shqiptare “VLEN”, Arben Taravri, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale pret proces fer dhe demokratik.

Këto komente, Taravari i bëri në një prononcim për media pasi që shfrytëzoi të drejtën e tij së bashku me familjen për të votuar.

“Sot së bashku me familjen e bëmë detyrën, e kryem obligimin tonë si qytetarë të shtetit. Porosia ime për të gjithë qytetarët është që këto zgjedhje të kalojnë fer, të jenë demokratike, dhe në fund sot është dita kur sovrani vendos”, tha Taravari.

Ai ka theksuar se kushdo qoftë që merr më shumë përkrahje nga shtatë kandidatët që janë në garë për pozitën e kreut të shtetit maqedonas, “ne do t’ia urojmë”, derisa shtoi se pret që 8 maji “do të jetë ditë edhe më e rëndësishme se 24 prilli kur mbahen zgjedhjet parlamentare”.

“Uroj dhe shpresoj që të shkohet në atmosferë demokratike dhe fer”, nënvizoi.

Më herët, gjatë ditës, edhe kandidati tjetër shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, nga “Fronti Evropian”, Bujar Osmani, pasi ka votuar i ka inkurajuar qytetarët që dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

“Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani para gazetarëve pas votimit.

Osmani ka theksuar se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por janë vendimtare për të ardhmen e vendit për shkak se shteti është në udhëkryq.

“Dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për integrim apo izolim”, u shpreh më tej kandidati për president”, shtoi.

KSHZ: Deri në orën 13:00 votuan 26.35 për qind të qytetarëve

Ndryshe, këtë të mërkurë të 24 prillit, Maqedonia e Veriut, është duke zhvilluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.

Bujar Osmani garon nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, është mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, duke ditur që shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, atëherë gjasat që njëri nga ta të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, që do të mbahen së bashku me ato parlamentare, janë tejet të vogla.

Shumë kush, garën e 24 prillit ndërmjet kandidatëve shqiptarë e ka parë si test që partitë politike, përkatësisht “Fronti Evropian” dhe “VLENI” po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare.

Dy janë pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e shtetit maqedonas. Stevo Pendarovski (61-vjeçar), nga LSDM-ja, i cili po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE (70-vjeçare), e cila ri-kandidon kundër Pendarovskit.

Kandidatë të tjerë janë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Të shtatë kandidatët për President të Maqedonisë së Veriut.

Rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë të drejtë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet presidenciale: Osmani e Taravari kandidatë shqiptarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore