Lajme

Tajlanda në zi pas sulmit masiv që la 37 të vrarë, kryesisht fëmijë


Tajlanda është në zi për sulmin me armë dhe thikë në një qendër kujdesi për fëmijët ku një burrë vrau fëmijët e moshës dy vjeçare teksa flinin.

Jashtë qendrës, prindërit u mblodhën duke qarë dhe duke mbajtur në krahë lodrat e preferuara të fëmijëve të tyre.

Sulmi la të vdekur 37 persona, përfshirë 23 fëmijë. Dhe autori ishte një ish-polic.

Në të gjithë Tajlandën flamujt janë valëvitur në gjysmështizë ndërsa vendi po përballet me tragjedinë.

Sipas policisë, pas ngjarjes sulmuesi 34-vjeçar vrau veten dhe familjen e tij. Ende nuk dihet motivi i sulmit. Por policia ka thënë se sulmuesi u pushua nga puna në qershor për përdorim droge.

Më vonë kryeministri Prayuth Chan-ocha dhe Mbreti i Tajlandës Maha Vajiralongkorn, së bashku me Mbretëreshën, pritet të vizitojnë komunitetin në provincën Nong Bua Lamphu.

Brenda natës, arkivole rozë dhe të bardhë të stolisur me ar, që mbanin trupat e fëmijëve, u dërguan në një morg spitali në Udon Thani dhe u vendosën në rreshta.

Ekipet e shpëtimit kishin sjellë më herët trupat e viktimave në stacionin policor, ku ishin mbledhur edhe familjet. Të afërmit e shqetësuar kishin pritur jashtë qendrës së kujdesit deri natën.

Referuar policisë, sulmuesi i armatosur hyri në ndërtesë pak pas drekës të enjten, duke qëlluar përpara një mësuesi dhe prindi jashtë.

Dëshmitarët kanë treguar se ai fillimisht qëlloi stafin përpara se të kalonte me forcë nga mësuesit në një dhomë ku fëmijët po flinin.

Ai theri me thikë shumicën e viktimave të tij përpara se të ikte.

Drejtoresha Nanticha Panchum ka treguare se sapo i kishte dërguar fëmijët për të fjetur kur dëgjoi të shtëna armësh.

Qendra kujdesej për 92 fëmijë në vend, por për shkak të motit të keq dhe një avarie të autobusit, në atë kohë kishte vetëm 24 fëmijë.

Nanticha ka treguar se vetëm një fëmijë ka mbijetuar.

Policia Tajlandeze publikoi një apel në internet duke e identifikuar njeriun si Panya Kamrab, një vendas. Ai ishte një ish-oficer që ishte shkarkuar në qershor për përdorim droge.

Sakaq, oficerët që nxituan drejt çerdhes u përballën me trupat e të rriturve dhe fëmijëve, disa prej tyre shumë të vegjël, të shtrirë brenda dhe jashtë godinës.

“Ai doli nga qendra dhe filloi të vriste këdo që takonte gjatë rrugës me armë ose thikë derisa arriti në shtëpi. Ne rrethuam shtëpinë dhe më pas zbuluam se ai kreu vetëvrasje në shtëpinë e tij”.

Kamrab mësohet se u kthye në shtëpi, duke vrarë gruan dhe djalin e tij përpara se të vriste veten.

Të shtënat masive në Tajlandë janë të rralla, megjithëse normat e posedimit të armëve janë relativisht të larta për rajonin.

Armët ilegale janë gjithashtu të zakonshme në vendin e Azisë juglindore.

Sulmi në çerdhe vjen më pak se një muaj pasi një oficer i ushtrisë vrau dy kolegë të tij në një bazë në Bangkok.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore