Kosova

Tahiri e cilëson “të turpshme” mënyrën se si Borrelli do t’ia dorëzojë detyrën Kallasit


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, derisa komentoi rreth procesit të ndryshimit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE), kritikoi shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për mënyrën se si do t’ia dorëzojë detyrën shefes së re të politikës së jashtme të BE-së, veçanërisht sa i përket “dosjes” së dialogut.

E emëruar zyrtarisht si kryediplomate e BE-së, ish-kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, do ta ketë për detyrë edhe ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ish-kryenegociatorja kosovare ka spikatur faktin se Borrelli largohet nga detyra pa arritur që t’i bindë Prishtinën e Beogradin për zbatimin e marrëveshjeve.

“Çfarë pranim-dorëzimi i turpshëm i Borrellit – dikur [Catherine] Ashton kishte çfarë të dorezojë…”, ka shkruar Tahiri, duke kujtuar se nën ndërmjetësimin e ish-Përfaqësues së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ishin arritur e zbatuar disa marrëveshje në kuadër të dialogut.

Në fakt, dialogu Kosovë-Serbi kishte nisur në mandatin e Ashtonit, e cila ishte edhe përfaqësuesja e parë e lartë e BE-së. Pastaj rolin e ndërmjetësues në nivel të lartë e kishte Federica Mogherini, përpara se Borrelli të merrte postin e kryediplomatit evropian pas zgjedhjeve të BE-së në vitin 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore