Biznes

Ta ndash historinë e biznesit jo vetëm se kështu duhet


Në tregun shqiptar mund të diferencohesh nga konkurrentët vetëm “duke mos kopjuar”. Shumica e bëjnë këtë, kështu që diferencohesh lehtë nëse nuk e bën.

Këtë këshillë jep specialistja e komunikimit, Flavia Daja, për bizneset që janë në rrugën e ndërtimit të identitetit në treg.

Sepse identiteti i markës është hapi më thelbësor në zhvillimin e biznesit.

Duke menduar për identitetin e markës, planifikon se si do të shfaqet marka në tregun e mbushur me konkurrentë dhe produkte konkurruese.

“Në mënyrë që të dallojmë nga konkurrentët, duhet të identifikojmë cilësitë që shfaqin unikalitetin e markës në treg”, thotë ajo për Albanian Post.

Duhet krijuar një imazh, “fytyrë dhe zë” para audiencës.

Daja thotë se sipërmarrësit duhet të kuptojnë që njerëzit lidhen me brandet në të njëjtën mënyrë që njerëzit lidhen me njerëzit

“Markat janë si miqtë që zgjedhim, nëse sipërmarrësi i krijon idenë konsumatorit se marka e tij ka vlerë në tregun ku operon, transmeton te konsumatori qartësi dhe siguri”, dallon ajo.

Dhe nëse kjo vlerë përputhet me nevojat dhe dëshirat e konsumatorit, sipërmarrësi ka arritur të krijojë një plan të suksesshëm të njohjes së audiencës. Nëse e arrin, konsumatori kthehet në klient.

Bizneset në Shqipëri, sipas saj, po fillojnë ta kuptojë rëndësinë e brandit, zërit unik të biznesit, por përsëri ka mungesë të theksuar në përmbajtje.

Të krijosh një biznes të ri dhe t’i japësh “frymë” atij biznesi duke pasur impakt te klientët potencialë, është “më tepër se sa një dizajn perfekt, logo apo faqe e përkryer”.

Specialistja sheh si më me rëndësi studimin e kulturës së audiencës. “Nëse kjo gjendet, gjendet edhe mënyra e marketimit”.

“Në ndërtimin e identitetit, me rëndësi është që studimi i audiencës të bëhet jo vetëm si target grup, por si qenie njerëzore. Nëse audienca flet gjuhën e biznesit është arritur krijimi i fjalorit të veçantë të shitjes dhe marketingut të produktit apo shërbimit që ofrohet”.

Në Shqipëri, për specialisten Daja, kompanitë e mëdha mundohen të implementojnë mënyrat e marketingut të kompanive më të mëdha në botë. Këtë ajo e quan “të gabuar”.

Të kesh një histori biznesi dhe ta ndash atë me publikun “tërheq vëmendje, krijon marrëdhënie, biznesi bëhet më njerëzor”, dallon ajo.

Por ajo tregon gjithashtu se ky model ka nisur të ndiqet nga bizneset në vend, më tepër si formë për të tërhequr vëmendje në mediat sociale, aty ku mund të gjendet target grupi.

“Problemi është që kjo nuk funksionon. Të qenit sa më afër publikut vërtet të bën ‘njerëzor’, por vetëm në rastet kur ke planifikuar për të ndarë me ta diçka me vlerë”, veçon Daja.

Një vështrim i kohëve të fundit i ka rezultuar se ndahen histori vetëm sepse kështu duhet. Por ky konsiderohet gabim në rrugën e ndërtimit të brandit sepse nuk e ruan reputacionin, vijon ajo.

“Publiku lidhet me produktin apo biznesin edhe emocionalisht. Nëse krijimi i historive bëhet në mënyrë të imponuar, audienca e dallon sepse sipërmarrësi e transmeton këtë ndjesi”, tregon specialistja.

Ajo konstaton se ka shumë sasi, pak përmbajtje. Shumica e bizneseve nuk e studiojnë tregun dhe rrjedhimisht, nuk bazohen te thelbi.

Këshilla e saj është që para se të veprohet, të kryhen studime e analiza të herëpashershme. Pasi nëse ndërgjegjësohesh që diçka nuk shkon sipas planit, e ndryshon.

“Duhet folur me gjuhën e audiencës, por pa ndryshuar për audiencën. Kjo pasi transmetohet si dëshirë për të abuzuar dhe manipuluar”, përmbyll Daja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore