Lajme

Szijarto: Hungaria gjatë presidencës së BE-së do të hap kapituj të ri të negociatave me Serbinë


Peter Szijarto

Hungari gjatë kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian, do të hap kapituj të ri të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto.

Sipas tij gjatë presidencës së BE-së, Hungaria, gjithashtu do të zhvillojë bisedime ndërqeveritare me disa nga kandidatët për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor, si “pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar zgjerimin e BE-së në rajon”.

Szijarto tha se Hungaria gjithashtu planifikon të mbyllë të paktën shtatë kapituj negociatash me Malin e Zi, të hapë të parën me Shqipërinë dhe të miratojë një kuadër negociues me Bosnjë-Hercegovinën, që, tha ai, është hapi i parë për hapjen e kapitullit të parë të negociatave.

Ai tha se Hungaria do të kërkojë gjithashtu të fillojë bisedime thelbësore me qeverinë e re, siç tha ai, “fortësisht pro-integruese” të Maqedonisë së Veriut.

Szijarto nuk është deklaruar fare lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Më 15 dhjetor 2022 në Pragë të Republikës Çeke e cila po e mbante presidencën asokohe, Kosova dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE.

Që nga ajo kohë deri më sot aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka kaluar asnjë fazë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore