Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shteti i Serbisë është “në panik”, sepse, siç thotë ai, po i dështon “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla theksoi se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive dhe ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese kanë acaruar Vuçiç-in, Vuçeviç-in, Vulin-in, Radojçiç-in, të cilët të dëshpëruar po synojnë ende që ‘shkollën ruse’ për destabilizim ta implementojnë në rajon”, potencoi ai.
Kreu i MPB-së ka renditur edhe disa pika në të cilat pohon se Serbia dhe vartësit e saj kanë dështuar.
Fillimisht ai theksoi se dështuan në arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në Veri.
“Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë; synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese”, shtoi ai.
Përveç këtyre, sipas Sveçlës, kanë dështuar edhe në synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave dhe trafikimin e armëve.
“Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës”.
Dështim Serbia ka pësuar, në prizmin e Sveçlës, edhe në synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, “përmes strukturave të sigurisë së Serbisë, shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar) dhe grupeve kriminale në rajon”.
“Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’”, vazhdoi ai.
“Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serbë, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale”.
Dështim së fundmi, Sveçla tha se ka qenë edhe bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti serb.
Në fund, ai potencoi se lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, “derisa ta kuptojnë përfundimisht që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, dhe se orientimi Euro-Atlantik i rajonit nuk ka kthim”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë