Kosova

Sulmi terrorist në Banjë, Vejvoda: Besueshmëria ndaj Serbisë po bie në Evropë


Ivan Vejvoda nga Instituti i Shkencave Sociale në Vjenë

Ivan Vejvoda nga Instituti i Shkencave Sociale në Vjenë të Austrisë ka thënë për rrjetin ballkanik të lajmeve N1 se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, besueshmëria ndaj Serbisë po bie në Evropë.

“Besueshmëria po bie ndaj Serbisë në Evropë, pak më pak në Amerikë. Kjo mund të shpëtohet duke përcaktuar qartë përgjegjësinë e të gjithë atyre që morën pjesë sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit dhe në vrasjen e policit të Kosovës”, tha Vejvoda.

Prandaj, ai insiston që hetimi duhet të bëhet sa më shpejt që të rikthehet besueshmëria ndaj Serbisë.

Megjithatë, Vejvoda potencon se hetimi për sulmin terrorist në Veri nuk mund të përfundojë pa bashkëpunimin e dy palëve – Kosovës dhe Serbisë.

“Të dyja palët janë nën presion”, theksoi Vejvoda.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore