Shqipëria

Studimi për fenomenin e ligjeve me porosi, i përhapur në Shqipëri 


Transparency International, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, kanë prezantuar ditën e sotme, më 30 mars, një studim për fenomenin e ligjeve me porosi në Shqipëri.

Në studim thuhet se ka një përhapje të gjerë mes viteve 2008 deri në 2020, duke zbardhur nëntë raste specifike të ligjeve të porositura dhe kontekstin e zhvillimit të tyre.

Fenomeni, i njohur ndryshe edhe si “kapja e shtetit”, është diskutuar prej kohësh në Shqipëri. Megjithatë, kanë munguar studimet konkrete, të cilat mund ta dëshmonin.

Në vitin 2018, për herë të parë, Komisioni Evropian përmendi në raportin e tij se, “disa vende në rajon vazhdojnë të shfaqin shenja të qarta dhe shkallë të ndryshme të kapjes së shtetit”.

Në Shqipëri, kapja e shtetit ka qenë e lidhur gjerësisht me sistemin gjyqësor, i cili vlerësohej si në kontrollin e individëve, apo grupimeve të fuqishme në vend.

Për këtë shkak, reforma në drejtësi ishte një reformë e gjithëpranuar, për të cilën janë investuar fuqishëm edhe ndërkombëtarët.

Megjithatë, sipas raportit, “vetëm viteve të fundit janë evidentuar ‘tendenca të kapjes’ përtej gjyqësorit”.

Nga viti 2008 deri në 2020, dy organizatat vlerësojnë se janë 50 raste të dyshuara për ligje me porosi. Hulumtimi 15-mujor përreth 35 prej tyre, ka zbuluar nëntë raste të provuara si ligje të bëra me porosi.

“Rastet e shqyrtuara të korrupsionit të nivelit të lartë japin përshtypjen se ka një lidhje të fortë ndërmjet zyrtarëve publikë, sektorit privat dhe gjyqësorit”, thuhet në raport.

Mes rasteve të përmendura në raport, janë hulumtuar më në detaje ligje me interes të lartë publik. Ligji për Teatrin Kombëtar, ligji për lojërat e fatit, koncesioni i rrugës Milot-Balldren, apo themelimi i kompanisë Air Albania.

“Të gjitha rastet, të cilat i kemi faktuar në këtë hark kohor, janë të kaluara në Kuvend me shumicë të thjeshtë”, tha një prej autorëve të studimit, Gjergji Vrumo.

Gjatë prezantimit, Vrumo solli në vëmendje dominancën e ekzekutivit në proceset ligjvënëse. Sipas tij, ka pasur raste të shumta kur Kuvendi ka pranuar dosje me mangësi dokumentacioni të ardhura nga Ekzekutivi. Gjithashtu, procedurat e kalimit të ligjeve në Kuvend kanë qenë shpeshherë të përshpejtuara.

Që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ka më pak mekanizma të kontrollit të pushtetit. “Është hequr mundësia e veto-s së presidentit të Republikës. Përpara ndryshimeve, një ligj i kthyer në Parlament, mund të kalonte sërish vetëm me dy të tretat e votave. Tani, mund të kalojë dhe me shumicë të thjeshtë”, shpjegoi Vrumo.

Autorët pretendojnë se raporti “evidenton fenomenin e kapjes së shtetit, përmes së cilës individë, institucione, kompani apo grupe të fuqishme brenda ose jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia e vendit t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut”.

Gjatë prezantimit në takimin online, u vunë në dukje problematikat e konstatuara me transparencën dhe procesin e konsultimeve nga Ekzekutivi. Në nëntë ligjet e vlerësuara si të porositura nga studimi, Ekzekutivi ka shfaqur problematika të mëdha në të dy këto aspekte.

 

 

Megjithëse për ligjet në fjalë Kuvendi ka patur një qasje më të mirë, edhe për këtë institucion, autorët vlerësojnë se nuk ka garantuar cilësi dhe integritet në ligjbërje.

Në fund, autorët prezantuan rekomandimet e tyre në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale që parandalojnë këtë fenomen dhe që duhet të jenë edhe në vëmendjen e donatorëve. 

Më kryesoret prej tyre, theksojnë se politikat duhet të bazohen në transparencë dhe procese të plota të konsultimeve publike. Gjithashtu, ato duhen zbatuar në një kuadër të mirëpërcaktuar ligjor që siguron integritetin e procesit, kryesisht mes institucioneve të Kuvendit dhe Ekzekutivit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore