Kanceri i fshikëzës urinare, për më shumë se tre dekada, është trajtuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë.
Kirurgji nëse ka qenë e mundur, ndonjëherë radioterapi dhe lloje të ndryshme kimioterapie në prani të një neoplazi të avancuar.
Vitet e fundit ka mbërritur imunoterapia e re dhe medikamente të synuara molekulare, të cilat synojnë të ndalojnë ose vonojnë evolucionin e neoplazmës te pacientët në një stad të avancuar ose metastatik.
Por nga kongresi i Shoqatës Evropiane për Onkologji Mjekësore (Esmo) kanë dalë përparime të mëtejshme të destinuara të ndryshojnë trajtimet standarde aktuale.
“Karcinoma uroteliale, e quajtur më shpesh kanceri i fshikëzës, është një neoplazi malinje që e ka origjinën nga uroteli, më i prekuri nga ky tumor”, ka treguar onkologu Sergio Bracarda.
Kambana kryesore e alarmit është prania e gjakut në urinë.
Kjo është një simptomë e qartë që duhet raportuar sa më shpejt te mjeku dhe specialisti urolog për të kryer analiza më specifike me qëllim diagnostikues.
Duhet të mos harrohet se koha në këtë rast është e çmuar.
“Arritja në një diagnozë të hershme do të thotë jo vetëm që shanset për shërim janë më të mëdha, sepse sëmundja është ende e lokalizuar dhe nuk ka metastaza, por edhe mund të trajtohet me terapi më pak invazive, me më pak efekte anësore dhe cilësi për jetë më të mirë”, ka shtuar ai.
Në 75 për qind të pacientëve sëmundja identifikohet në fazën fillestare dhe kufizohet në pjesët sipërfaqësore të murit të fshikëzës, kur është e mundur të ndërhyhet në mënyrë kirurgjikale me shanse të mira shërimi.
Më të vështira për t’u menaxhuar janë rastet metastatike: pavarësisht sukseseve të ndryshme të arritura me ardhjen e fundit të barnave imunoterapike, po kërkohen zgjidhje të reja të afta për t’i zgjatur jetën pacientëve.
Në këtë drejtim shkojnë dy studime të paraqitura në konferencën e fundit të Esmo.
Të dy provat ishin në fazën e fundit para miratimit përfundimtar, të kryera te pacientët me karcinomë urotelial të avancuar ose metastatike, të paoperueshme dhe të patrajtuara më parë .
“Rezultatet u vlerësuan për të dy studimet e destinuara për të ndryshuar praktikën aktuale klinike”, ka theksuar Bracarda.
Testi CheckMate 901 përfshiu mbi 600 pacientë dhe është i pari që demonstroi një përfitim në përdorimin e kimioterapisë standarde me imunoterapi.
Në një ndjekje mesatare prej rreth 33 muajsh, trajtimi uli rrezikun e vdekjes me 22%, duke demonstruar një mbijetesë mesatare prej 21.7 muajsh krahasuar me 18.9 muaj vetëm me kimioterapi.
Kurse studimi EV-302/KEYNOTE-A39 testoi një zgjidhje të re të vijës së përparme, që përfshiu 886 pacient.
Pjesëmarrësit morën kimioterapi ose kombinimin e ri të një antitrupi.
“Rezultatet tregojnë se si përzierja e re redukton rrezikun e vdekjes me mbi 50 për qind krahasuar vetëm me kimioterapinë dhe ka përcaktuar një avantazh të rëndësishëm mbijetese prej 31.5 muajsh”, ka treguar Bracarda.
“Për herë të parë në historinë e karcinomës uroteliale në fazë të avancuar, një trajtim që nuk përfshin kimioterapinë standarde, por bazohet në kombinimin e imunoterapisë dhe një antitrupi imunokonjuguar, është dëshmuar efektiv”, sipas onkologut Andrea Necchi.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com