Shqipëria

Studentët e Mjekësisë kërkojnë tërheqjen e projektligjit: Po përdoremi si kavie eksperimentale


Studentët e Mjekësisë janë mbledhur këtë të enjte të 6 korrikut para rektoratit të Universitetit të Mjekësisë për të marshuar drejt Kuvendit e më pas drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Kjo lëvizje nga ana e tyre vjen pasi studentët kundërshtojnë projektligjin e prezantuar nga Këshilli i Ministrave lidhur me punësimin e detyruar.

Sipas tyre, studentët e Mjekësisë po përdoren si kavie eksperimentale.

Studentët kërkojnë tërheqjen e projektligjit ose paralajmërojnë bojkot.

“Nëse shohim që ky projektligj do të bëhet ligj për 15 ditë jemi gati të shkojmë drejt bojkotit të vitit të ardhshëm”.

“Nuk mund të jemi dakord për pengmarrjen. Po shkojmë para kuvendit pasi ata po marrin vendime pa na pyetur ne. Ky projektligj nuk është diskutuar me ne”.

Ata reaguan menjëherë ditën e djeshme pas fjalës së mbajtur nga kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë.

Bërja publike e vendimit të marrë nga qeveria që studentët e Mjekësisë, pas përfundimit të universitetit të punojnë për 5 vite në Shqipëri në mënyrë që të pajisen me diplomë, i ka shtyrë ata në veprim.

Studentët nuk bien dakord me vendimin e marrë dhe të bërë më pas publik nga Rama.

Sipas kryeministrit, për të gjithë studentët që do të regjistrohen në vit të parë për Mjekësi, të punuarit 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të universitetit do të jetë një kusht i detyrueshëm.

Edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi, pas mbledhjes së qeverisë, ka folur për detajet teknike të projektligjit për punësimin e detyrueshëm të studentëve të Mjekësisë.

Ministrja ka specifikuar ndër të tjera se projektligji në fjalë për shkak të emergjencës do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar.

E gjitha sepse në muajin gusht, të gjithë maturantët që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

“Ne duhet ta miratojmë brenda korrikut këtë projektligj, në mënyrë që ata përpara se të marrin vendimin dhe përpara se të bëjnë provimin, t’i dinë, t’i njohin të gjitha kushtet që do të kenë për sa i takon këtij programi”, ka dalluar ajo.

Sipas saj, studentët e vitit të parë apo kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS.

Kjo, për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet shëndetësore të vendit.

Dhe se diplomën do ta tërheqin pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Për studentët që janë aktualisht në sistem, Kushi ka dalluar se nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë.

“Përkatësisht, studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri”, ka sqaruar ajo.

Po ashtu, edhe për këtë kategori, diploma do të tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Ministrja ka shpjeguar gjithashtu se studentëve që janë aktualisht në sistem, do tu ofrohet edhe mundësia që nëse nuk janë dakord të nënshkruajnë marrëveshjen, të paguajnë sa është kostoja reale e çdo viti akademik, për vitet e mbetura akademike, jo për vitet që kanë kaluar.

“Ky është detyrimi që kanë studentët e vitit të parë, nuk kanë të drejtë zgjedhjeje, por do që qëndrojnë për 5 vite”, ka theksuar Kushi.

Ministrja u ka drejtuar thirrje të gjithë kandidatëve që kanë vendosur të studiojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme, ta mendojnë që nëse zgjedhin të studiojnë në universitetin shtetërore, duhet të nënshkruajnë këtë marrëveshje.

Dhe se kanë detyrimin që 5 vite të qëndrojnë të punësohen në Shqipëri. Kurse studentët e tjerë mund të zgjedhin mes dy alternativave.

“Qëllimi ynë është që të gjithë studentët nga viti i parë deri në vitin e gjashtë të qëndrojnë të punojnë, të japin kontribut për vendin, sepse në fund të fundit ky është një detyrim që e kemi për të gjithë, për të plotësuar nevojat që kemi për mjekë”, ka dalluar ajo.

Lidhur me specializimet, në rast se janë të pambuluara nga MSHMS, pra nëse specializantët e paguajnë vetë kuotën, do të konsiderohet periudhë punësimi.

Ndërsa në rast se është e mbuluar nga MSHMS, ata nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMS përpara specializimit, kështu që kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi, sipas saj.

Referuar ministres, nëse për një vit nuk arrihet të plotësohet detyrimi për punësimin e tyre, atëherë të gjithë studentët, të diplomuarit do të lirohen nga ky detyrim dhe do të tërheqin diplomën e tyre.

“Trajtimi i veçantë konsiston në dy drejtime kryesore. Së pari punësim prioritare në institucionet shëndetësore shqiptare dhe së dyti përfshirje në programet sociale të punësimit”, ka veçuar Kushi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore