Qeveria shqiptare, që prej muajit gusht ka nisur një fushatë vaksinimi masiv, e cila ka kërkuar detyrimisht edhe furnizim të madh me doza nga katër kompanitë furnitore në Shqipëri.
Shifrat e vaksinave të mbërritura në Shqipëri po i afrohen 2 milionëshit. Ndërkaq, dozat e dhëna janë rreth 1.54 milionë.
Duke krahasuar numrin e të vaksinuarve me atë të administrimit të vaksinave, lind pyetja nëse diferenca e vaksinave – rreth 400 mijë – është ruajtur për arsye specifike apo mbahet thjesht stok?
Të pyetur nga Albanian Post, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëjnë me dije se këto vaksina nuk quhen të mbetura në stok.
Në të kundërt, këto doza të mbetura, quhen si të ruajtura për të siguruar edhe vaksinimin me dozën e dytë për personat që e kanë marrë tashmë një dozë. Këta të fundit janë rreth gjysma e të vaksinuarve në tërësi.
Po ashtu, theksohet më tej se, “sasia e vaksinave rritet çdo javë, sipas kontratave që ka siguruar qeveria”. Pra, më shumë vaksina vijnë, ndaj dhe ai që mund të cilësohet si “stok”, mund të bëhet më i madh.
Ndërsa, për kushtet e ruajtjes, ambiente frigoriferike të posaçme janë në dispozicion. Kjo, për të garantuar mbetjen e dozave në kushte optimale përdorimi.
Të vaksinuar zyrtarisht
Deri më tani të vaksinuar janë 1 milionë e 527 mijë e 801 qytetarë me njërën dozë. Gjatë javës së parë të shtatorit, ritmi ka qenë me rreth 13 mijë vaksinime ditore.
Përtej vaksinimit të mirë në Shqipëri, javët e fundit është parë një rritje e infektimeve me COVID-19. Mesatarja ditore e rasteve të regjistruara varion në mbi 800. Ndërkohë aktivë në të gjithë vendin janë 12 mijë qytetarë.
Për këtë shkak, të shtunën e 4 shtatorit, u riaktivizua spitali COVID 3 për të trajtuar të sëmurët që kanë nevojë për shërbim spitalor.
Të shtruar në spitalin infektiv janë 132 pacientë, ku 14 prej tyre janë në gjendje të rënduar.
Nga instancat e larta, bëhet çdo ditë thirrje për t’u vaksinuar. Një opsion po shihet edhe për vaksinim të detyruar në disa sektorë jetikë.
Nga Ministria në këtë aspekt, nuk bëhet me dije nëse “stoku” i vaksinave, ka mbetur për shkak të qytetarëve që nuk kanë dëshirë të vaksinohet, apo prej kapaciteteve.
Gjithashtu, nuk bëhet me dije se cilat doza kanë mbetur në numër më të lartë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore