Tanët

Sportistët, diplomatët më të mirë të shtetit


Nora Gjakova, Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi-Xhudistet kosovare që kanë rrëmbyer medaljet e arta olimpike

Politika e jashtme e Kosovës varet shumë nga rrethanat jo-konvencionale nëpër të cilat po kalon vet politika ndërkombëtar.

Dekurajuese mund të jenë dukur shumë aspekte që lidhen me njohjen e shtetësisë së Kosovës, sidomos viteve të fundit kur ka filluar një fushatë e ”ç‘njohjeve” të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Pavarësisht kësaj fushate të egër e cila ka gjetur mbështetje në disa shtete jo-mirë të konsoliduar apo edhe aty ku mungon një angazhim i duhur diplomatik i shtetit të Kosovës, botëkuptimi mbi shtetësinë dhe vet sovranitetin e shteteve në shumë raste ka ndryshuar.

Janë shumë mekanizma ndërkombëtar ku Kosova përfaqësohet ani pse nuk është anëtare e OKB-së. Por, shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe si e tillë është vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kur ka bërë publik mendimin rekomandues për Kosovën, ku thuhet se “Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Mirëpo, disa shtete të cilat nuk e njohin mëvetësinë e Kosovës.

Jo shumë kohë më parë qeveria e shtetit spanjoll kishte bërë përpjekje që të mohoj faktin se ekipi kombëtar i Spanjës po zhvillon një ndeshje futbolli me ekipin kombëtar të Republikës së Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo spanjolle në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës

Një veprim i tillë ishte dukur shumë qesharak si në arenën ndërkombëtarë por edhe në vet opinionin e brendshëm spanjoll.

Çdo paraqitje ndërkombëtare e Kosovës dhe atë jo vetëm në planin politik, duhet të jetë e pa-kompromis dhe si e tillë duhet të jetë e identifikueshme me emrin kushtetues që Kosova ka.

Sportistët kosovarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm diplomatik nëpërmjet sportit në afirmimin e shtetësisë së Kosovës. Ata duhet të përkrahen fuqishëm nga institucionet dhe nga vet politika.

Lojërat olimpike “Tokyo 2020” janë një mundësi e mirë që të promovohet shtetësia e Kosovës nëpërmjet sportistëve tanë, të cilët deri më tani kanë shkëlqyer duke rrëmbyer dy medalje të arta olimpike.

Me këto dy medaljet e fundit të marra në Tokio nga xhudistët pejane Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, Kosova numëon tri medalje të arta, pas asaj të Majlinda Kelmendit në Rio 2016.

Ekipi i Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”

Studiuesi i sociologjisë së sportit, Albert Mecini, në një intervistë për Albanian Post ka treguar se zhvillimet e fundit në sport që nga ndërkombëtarizimi në FIFA e UEFA, nuk ka pasur zhvillim të hovhëm.

“Tashmë janë bërë disa vite që prej ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, dhe përgjatë kësaj periudhe kohore, sporti kosovar ka pasur një zhvillim mund të themi jo-proporcional.”

Ndarja jo racionale e përkrahjes financiare ndërmjet llojeve t sporteve, duke favorizuar ato “më të popullarizuarat” ka bërë që “disa sporte të tjera të ngecin mbrapa për shkak të mungesës së investimeve”.

“Futbolli ka shënuar një rritje në kualitet dhe në organizimin e lojës, por edhe në infrastrukturë”, tregon Mecini por shqetësues është fakti i “trukimit të ndeshjeve”.

“Gjë që nëse del në të ardhmen që ka të vërteta në këtë mes, atëherë ky do të ishte një dëm i madh për futbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi por edhe të imazhit si shtet i ri”, ka vazhduar ai.

Sociologu Mecini ka vënë në pah se ekipeve kosovare të sportit ju mungojnë profesionistët e lëmive jo teknike.

“Një problem tjetër që duket në sportin kosovar është edhe dimensioni profesional brenda ekipeve sportive në Kosovë. Ekipet sportive nuk duhet të mjaftohen vetëm me shtabe teknike profesionale, por ato duhet të angazhojnë një gamë të gjerë profesionistësh në fusha tjera, psikologë, sociologë, etj., në mënyrë që të jenë kompetitiv sidomos në rrafshin ndërkombëtar, atje ku kërkesat e përgjithshme në arritje të suksesit janë shumë të mëdha”, ka shpjeguar ai.

Albert Mecini është thellësisht i bindur se sporti dhe sportistët kosovarë e kanë përfaqësuar shumë herë më mirë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sesa vet politika dhe politikanët.

“Deri më tani sporti ka dëshmuar të jetë një ambasador i mirë i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, vlen të përmendet rasti i xhudistëve kosovarë por edhe disa ndeshje të mira të Kombëtares dhe klubeve të Kosovës në futboll”.

Imazhi i mirë i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vazhdojnë të mbeten njerëzit jashtë politikës.

“Prandaj i kushtohet rëndësi dhe mbështetje politike sa i përket investimeve në kuadër të zhvillimit të sportit, por jo duke lënë hapësirë për ndërhyrje të natyrave politike të dëmshme që janë kontra sport, siç veprojnë dhe e kanë praktikë disa shtete gjysmë diktatoriale dhe diktatoriale”, ka thënë ai.

Dhe duke parë këtë zhvillim të hovshëm të sportistëve vendorë, Mecini konsideron se institucionet duhet të investojnë më shumë në infrastrukturën e sportit në mënyrë që të përmirësojë diplomacinë e shtetit.

“Nuk është detyrë e politikës dhe as e diplomacisë ta promovojë sportin, ngase nëse ekzistojnë kushtet sportive, sporti në një mënyrë e promovon vetveten me anë të rezultateve”.

Ai është i mendimit se një praktikë të tillë “do të duhej të ndiqej në Kosovë”, për faktin se sporti duhet “të zhvillohet lirshëm, në kushte optimale infrastrukturore, pa ndërhyrjen politike, dhe kështu suksesi nuk do të mungonte.”

Pjesëmarrja e ekipeve sportive të Kosovës në shtetet të cilat ende nuk na e kanë njohur pavarësinë, si rasti i Rusisë, Spanjës apo Kinës, me rastin e lartësimit të flamurit shtetëror të përfaqësueses “redaktojnë” marrëdhëniet drejt një rruge të re të njohjes.

Sociologu Mecini konsideron se “Përmes rasteve të tilla Kosova si shtet i pavarur, i dëshmon opinionit ndërkombëtar të drejtën e saj legjitime në pjesëmarrje në kompeticione ndërkombëtare sportive”.

“Në të njëjtën kohë i thyen tensionet politike apo paragjykimet e mundshme që kanë ekzistuar për Kosovën në ato shtete që deri më tani nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës”.

Ai konsideron se kjo ka një rëndësi të madhe, ngase “në këtë fazë është njohje dhe pranim de-facto i Republikës së Kosovës”, ka thënë Mecini për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore