Spektakël, tetë gola, tre kartona të kuq dhe në fund barazim, Lazio dhe Udinese ndajnë pikët
Sfida e fundit e kësaj të enjte në Serie A italiane mes Lazio-s dhe Udinese-s ka parë gjithçka. Spektakëli, golat dhe kartonat e kuq nuk munguan në këtë ndeshje të luftuar nga të dy skuadrat.
Ndeshja përmbylli javën e 15 në Serie A. Pjesa e parë e takimit u mbyll me fitoren e miqëve në shifrat 1-3. Në pjesën e dytë, Lazio përmbysi shifrat në 4-3, por në fund u barazua në 4-4.
Portugezi 23-vjeçar, Beto, shënoi dy golat e parë të takimit. Përkatësisht në minutat 17 dhe 32. Dy minuta pas golit të dytë të miqëve, kapiteni Ciro Immobile, ngushton diferencat në 2-1.
Kur pjesa e parë po shkonte drejt përfundimit, Udinese shënon edhe golin e tretë. Në të 44 minutë, argjentinasi Nahuel Molina ndëshkon skuadrën e Maurizio Sarri-t.
Në pjesën e dytë, Lazio shënon tre herë. Fillimisht ishte spanjolli Pedro, në minutën e 51. Më pas erdhi goli nga mesfushori Sergej Milinkovic-Savic-i, në minutën e 56 dhe për golin e përmbysjes në 4-3 mendoi mbrojtësi, Francesco Acerbi në minutën e 79.
Por, kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, në sekondat e fundit të saj, miqtë shënuan golin e barazimit me anë të Tolgay Arslan-it. Pikërisht në minutën e 90+8.
Ndeshja pati tre kartona të kuq. I pari që u ndëshkua ishte mbrojtësi i Lazio-s, Patric-i. Spanjolli la fushën e lojës në minutën e 57, pas kartonit të dytë të verdhë.
Nuk do vononte shumë edhe kartoni i parë i kuq për miqtë. 12 minuta pas të kuqit të Lazio-s, autori i golit të tretë të miqëve, Molina ndëshkohet edhe ai me kartonin e dytë të verdhë. Në minutën e 100 të takimit u ndëshkua edhe Walace.
Në këtë takim, luajti për 90 minuta të plota edhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj. Performanca e shkodranit nuk ishte në nivelin e duhur.
Dy shqiptarët e tjerë të Lazio-s, Thomas Strakosha dhe Vedat Muriqi e panë ndeshjen nga stoli. Nuk pati asnjë minutë në dispozicion për ta.
Lojtarët më të dobët në këtë takim ishin Pepe Reina dhe Patric për Lazio-n. Dhe për miqtë Marco Silvestri dhe Iyenoma Udogie.
Me rezultatin e arritur, Lazio shkon në kuotën e 22 pikëve në vendin e nëntë në Serie A. Udinese qëndron në vendin e 14 me 16 pikë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com