Gjykata Speciale

Specialja ua vazhdon paraburgimin Krasniqit dhe Selimit


Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kjo për shkak se ky institucion ka konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, në konferencën javore.

“Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarë që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Po ashtu, nga gjykatësit është thënë se komunikimet e të akuzuarve mund të kufizohen.

“Në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

Apeli në arsyetimin e tij ka theksuar se ekzistojnë sërish rreziqet e ikjes, ndikimit në dëshmitarë e shkatërrimin e provave, nëse Selimi dhe Krasniqi mbrohen në liri.

Paneli gjyqësor që ka marrë këtë vendim përbëhet nga kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, anëtarë të trupit gjykues dhe Fergal Gaynor, gjyqtar rezervë.

Në Gjykatën Speciale, aktualisht ka dëshmuar dëshmitari i 36-të të martën i cili pritet të vazhdoj dëshminë edhe të mërkurën.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore