Specialja s’e sqaron pse ia hoqi kravatën Krasniqit në gjykatore – “veprim arbitrar që dëmton kredibilitetin e gjykatës”
Gjykata Speciale ende nuk ka dalë me ndonjë shpjegim se pse e detyroi ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqin që ta heqë kollaren para nisjes së seancës që u mbajt këtë të hënë.
Në anën tjetër, juristi Arbër Jashari, në një bisedë për Albanian Post ka thënë Specialja duhet të dalë sa më shpejtë me sqarime lidhur me atë se mbi çfarë baze ligjore ka vendosur që të mos ta lejoj paraqitjen e Krasniqit në gjykatore me kollare.
“Përndryshe, nëse kjo është bërë pa u mbështetur në ndonjë normë a rregull të brendshëm, ose pa ekzistuar ndonjë rrethanë e arsyeshme, përbën një veprim arbitrar që dëmton imazhin dhe kredibilitetin e gjykatës”, tha Jashari.
Tutje për Jasharin, në parim, veshja me kostum dhe kravatë është konform etikes së veshjes, për shkak se në këtë mënyrë respektohet gjykata dhe serioziteti i procedurës.
Ndryshe, këtë çështje e ngriti që nga mëngjesi avokatja Alagendra Venkatesëari, e cila u ankua se pse po detyrohet klienti i tij ta heqë kravatën që e ka vendosur edhe më herët.
“Zotëri Krasniqi e ka pasur një kravatë këtë mëngjes dhe ja kanë hequr. A mund të na thotë dikush pse i është hequr kravata zotëri Krasniqit sot paradite?”, ka deklaruar ajo, derisa kreu i trupit gjykues, Charles Smith, tha se “as që e ka haberin për këtë”.
Pas një pushimi të zgjatur, trupi gjykues nuk e ka adresuar në publik shqetësimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për detyrimin për heqje të kravatës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.
Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.
Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi.
Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com