Kosova

“Specialja me lojë të pandershme dhe raciste”, thotë KMDLNJ për rastin e Salih Mustafës


Salih Mustafa.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLN), ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) të Gjykatës Speciale e cila ka dalur me vendim se do ta shqyrtoj uljen e dënimit për Salih Mustafën, i cili është dënuar me 22 vjet për krime lufte.

Sipas KMDLNJ-së kjo lojë është “e pandershme” dhe “raciste”.

“Dënimet ndaj shqiptarëve janë drakonike dhe kriminale pasi as në rastin Salih Mustafa apo Pjetër Shala nuk ishte vërtetuar përgjegjësia konkrete për vrasjen e dy personave, njëri nga Salih Mustafa e tjetri nga Pjetër Shala”.

“Dënimet e kësaj gjykate janë qartazi prapavijë etnike dhe politike e asessi nuk sigurojnë drejtësi për viktimat apo përgjegjësi për ata që e kanë kryer krimin e që deri më tani mbesin të panjohur”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit kanë vlerësuar se kjo gjykatë as s’mund të konsiderohet si serioze pasi që e njëjta nuk monitorohet nga askush.

“Një gjykatë që nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli përmes monitorimit të pavarur dhe që nuk jep asnjë llogari siç është GJSR në Hagë domosdoshmërisht i nënshtrohet ndikimit të politikës apo grupeve të interesit që nënkupton që mungojnë kushtet elementare për një gjykim të drejtë, fer, të paanshëm dhe të pandikueshëm e që garantohet nga Kushtetuta e Kosovës”.

KMDLNJ kritika ka pasur edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës pasi sipas tyre ata janë treguar të mjerë dhe qyqarë.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë treguar të mjerë dhe qyqarë, sidomos këta të Komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Legjislacion duke e refuzuar mandatin e fituar nga votuesi për përfaqësim dhe mbrojtje të interesit të qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare dhe politike si dhe statusit në shoqëri”.

Më 30 korrik, paneli i Gjykatës Supreme ka marrë vendim që ta shqyrtojë rastin e Sali Mustafës i cili nga Gjykata Speciale ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte.

“Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burg. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar nga 26 në 22 vjet burgim i ishte zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore