Specialja hedh poshtë kërkesën e mbrojtjes për apelimin e vendimit për pranimin e disa deklaratave me shkrim
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep, ka njoftuar se trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për apelimin e vendimit për pranimin e disa deklaratave me shkrim të disa dëshmitarëve në çështjen gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Lajmin e ka bërë të ditur Griep përmes informimit javor në konferencë.
“Trupi gjykues rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për apelimin e vendimit për të pranuar me shkrim disa prej dëshmive të dëshmitarëve me qëllim thjeshtimin dhe shpejtimin e gjykimit”.
“Në të njëjtën ditë, trupi gjykues rrëzoi edhe kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për tre ndryshime në urdhrin e gjykatësve mbi zhvillimin e gjykimit, lidhur me seancat përgatitore të dëshmitarëve”, tha Griep.
Ndër të tjera shtoi se trupi gjykues ka rrëzuar edhe kërkesën e mbrojtjes për të caktuar një hetues të pavarur lidhur me disa pretendime të cilat janë paraqitur në një letër.
“Në vend të kësaj, trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë të hetojë pretendimet në atë letër përpara se dëshmitari në fjalë të japë dëshmi, si dhe të njoftojë gjykatësit, mbrojtjen dhe mbrojtësin e viktimave për konstatimet e hetimit”.
Ajo theksoi se administratorja ka njoftuar se trupi gjykues i Shiamala Alegendra-Khan, është miratuar me kusht si bashkëmbrojtëse e Jakup Krasniqit.
“Në vendimet e tyre, gjykatësit theksuan se emrat dhe të dhënat personale të disa prej dëshmitarëve tejet të cenueshëm do të vazhdojnë t’i jepen mbrojtjes dhe me to do të njihen edhe të akuzuarit, dhe se lirimi i një të akuzuari që ka dijeni për informacion të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që ende nuk kanë dhënë dëshmi”.
Sa i përket paralajmërimin e fundit që kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, ka lëshuar për Nasim Haradinaj që të respektojë kushtet e përcaktuara në vendimin për modifikimin e dënimit të tij.
“Ky paralajmërim erdhi si rezultat i raportimeve se zotëri Haradinaj kishte dhënë disa intervista pa kërkuar paraprakisht leje nga administratorja, siç kërkohet në vendimin e kryetares mbi modifikimin e dënimit”.
“Kryetarja theksoi se zotëri Haradinaj ishte rikujtuar edhe më herët gjatë këtij viti për kushtet e lirimit të tij, veçanërisht sa i takon kontaktit me median dhe deklaratave të drejtpërdrejta apo të tërthorta për DHSK-në”.
“Kryetarja Trendafilova paralajmëroi se çdo shkelje tjetër nga Haradinaj, sado e vogël, do të çojë në anulimin e vendimit mbi modifikimin e dënimit dhe rikthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit në Hagë, ku do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit”, tha Griep.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com