Euro 2024

Spanjollët nuk i luajnë finalet, ata i fitojnë ato, së paku në mijëvjeçarin e ri


Një statistikë e çmendur ka qarkulluar që nga mbrëmë.

Ka disa statistika kurioze dhe interesante në fund të Kampionatit Evropian të Futbollit 2024, i fituar nga Spanja në finale kundër Anglisë 2-1. Për shembull, “La Roja” u bë skuadra e dytë në historinë e këtij evenimenti që fitoi të gjitha ndeshjet e luajtura, shtatë nga shtatë, edhe nëse u duheshin kohë shtesë kundër Gjermanisë, pas Francës në 1984, e cila fitoi pesë nga pesë.

Po kështu, me 15 gola të shënuar, Spanja është kombëtarja që ka shënuar më shumë në një kampionat evropian, duke mposhtur rekordin e mëparshëm të Francës së Michel Platini-s (14), i cili megjithatë kishte luajtur dy ndeshje më pak.

Pas triumfeve të viteve 1964, 2008 dhe 2012, Spanja është bërë gjithashtu skuadra që ka fituar më shumë kampionate evropiane nga të gjitha, duke lënë pas Gjermaninë me tre.

Në të njëjtën kohë, askush nuk kishte humbur dy finale kontinentale radhazi përpara Anglisë.

Rodri, i shpallur “MVP” i turneut, ka fituar tetë trofe midis Manchester City-t dhe ekipit të tij kombëtar që nga fillimi i vitit 2023. Ndërsa, Lamine Yamal, lojtari i ri më i mirë në kompeticion, theu një rekord që i përkiste Pele-s që nga viti 1958: tani, në moshën 17-vjeçare dhe një ditë, ai është futbollisti më i ri ndonjëherë që ka marrë pjesë në një finale të një kampionat evropian apo botëror.

Por statistika më e pabesueshme u publikua të dielën në mbrëmje: Që nga maji 2001, Spanja dhe ekipet e klubeve spanjolle kanë marrë pjesë në 27 finale të Champions League, Europa League, Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, dhe në të 27 rastet në fund fitoi një ekip spanjoll. Po, e lexuat mirë: gjithmonë.

Të dhënat nisin nga maji 2001 sepse në atë pranverë Valencia humbi finalen e Champions League kundër Bayern Munich dhe Alaves humbi finalen e Kupës UEFA kundër Liverpool, por në pjesën tjetër të mijëvjeçarit të ri të futbollit skuadrat spanjolle janë praktikisht të pamposhtur në finale.

Shtatë nga shtatë në Champions League për Real Madrid-in, katër nga katër për Barcelona-n, shtatë nga shtatë mes Kupës UEFA dhe Europa League për Sevilla-n, tre Kampionatet Evropiane dhe Kupën e Botës 2010 për ekipin kombëtar, plus triumfet e tjera në UEFA Cup/Europa League Valencia (2003-04), Atletico Madrid (2009-10, 2011-12 dhe 2017-18) dhe Villarreal (2020-21).

Dhe kur dikush humbi në finale, si Atletico në Champions League në 2013-14 dhe 2015-16, ishte gjithmonë kundër… një skuadre tjetër spanjolle.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore