Shqipëria

SPAK lëshon 8 urdhër-arreste për Inceneratorin e Tiranës, disa masa kontrolli


Prokuroria e Posaçme SPAK raportohet se ka lëshuar tetë urdhër-arreste në lidhje me Innceneratorin e Tiranës.

Dyshohet se urdhër-arrestet janë lëshuar për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçin, Endrit Habilajn, Renardo Nallbanin, Ilir Dedjan dhe për tre shtetas të huaj.

Ndaj tyre dyshohet se është ngritur akuza “pastrim i parave” dhe “grup i strukturuar kriminal”, por deri më tani asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organi kompetent.

Sakaq, asnjë prej këtyre urdhër-arresteve nuk është ekzekutuar ende pasi thuhet se personat nuk janë gjetur gjatë operacionit të policisë.

Prokurori i çështjes është Dritan Prenci, kurse gjyqtarja është Irena Gjoka.

Me kërkesë të prokurorit Prenci thuhet se  janë firmosur dhe disa masa kontrolli.

Përsërisim se zyrtarisht, SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar.

Inceneratori i Tiranës u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) më 1 gusht të vitit të shkuar.

SPAK thotë se kompania e inceeratorëve “Integrated Energy B.V. S.P.V.” kishte si pronarë “de facto” shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndodhen në arrati.

Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” dhe shoqërinë mëmë në Holandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Më pas shkruhet se Zoto, në bashkëpunim me Mërtirin kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409 milionë e 42 mijë lekë.

Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij.

Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë ata të dy.

Po ashtu, është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k.

Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milion euro e ndodhur në qytetin e Durrësit, e cila është sekuestruar.

Lajm në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore