Prokuroria e Posaçme SPAK ka dërguar për gjykim gjyqtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) Etleda Çiftja, e akuzuar për fshehje pasurie dhe falsifikim.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, gjyqtarja ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, duke mashtruar në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë, me mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë një banke.
Gjithashtu, vijon më tej njoftimin SPAK-u, Çiftja ka dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), një kontratë me përmbajtje të falsifikuar.
Kjo, pasi dokumenti i dorëzuar nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë.
“Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje-blerjen e parcelës tokë arë”, përfundon SPAK.
Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetting-ut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK.
Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci.
Ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.
Në faqen online të KPK-së shkruhet se Çiftja është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Ajo ka punuar më shumë se 16 vite si juriste, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit.
Gjithashtu, Çiftja mban titullin “Avokat” që nga viti 2001 dhe u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore