Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania e sondazheve “Source” në bashkëpunim me Albanian Post, nga të dhëna të mbledhura në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor, nga 1050 respodentë në 28 komuna të Republikës së Kosovës, në pyetjet se kë do ta votonit në zgjedhjet e ardhshme, 41.1% e respodentëve kanë zgjedhur Lëvizjen Vetëvendosje/Lisën Guxo.
Dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë qenë shumë afër njëra tjetrës, por larg Vetëvendosjes.
PDK-në si opsion për zgjedhjet e ardhshme e kanë zgjedhur 19.6%, derisa LDK-ja ka marrë 19.2% të votës së përgjithshme në sondazh.
Koalicioni i fundit parazgjedhor, ai në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate ka 5.8%.
Derisa 5.1% kanë zgjedhur opsione të tjera.
Një numër jo i vogël i respodentëve kanë dhënë përgjigje se janë të papërcaktuar.
9.2% nga numri i përgjithshëm i të anketuarve kanë dhënë opsionin se akoma janë të pa përcaktuar në përzgjedhjen e tyre sa i përket zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërsa, në pyetjen se se kush duhet të jetë kryeministër i vendit, radha e preferencave është e njëjtë si ajo për partitë, veç se përqindjet dallojnë më shumë për vendin e parë.
Albin Kurti prin me 45.6%, një dallim prej 4.5% me partinë e tij, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo kanë marrë 41.1%.
Bedri Hamza ka 20.5% si Kryeministër, Partia Demokratike e Kosovës 19.6%.
Ndryshe është gjendja për Lumir Abdixhikun si kryeministër me 18.6%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me 19.2%.
Ramush Haradinaj si Kryeministër merr 6.2% të votave, ndërsa AAK në koalicion me Nismën vetëm 5.8%.
Kurse në vlerësimin e përgjithshëm për liderët, përqindjen më të lartë si liderja më e vlerësuar është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me 67.8% të votuesve që kanë vlerësim pozitiv.
I dyti është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 56.4% të të anketuarve që kanë vlerësim pozitiv.
I treti është Bedri Hamza me 43.7% të respodentëve që përtej se cilën parti votojë kanë vlerësim pozitiv.
Në vendin e katërt është Lumir Abdixhiku me 40.5% të pëlqyeshmërisë.
Derisa Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, është shumë më poshtë se Hamza e Abdixhiku me 28.9% të personave që kanë pëlqim pozitiv për të.
Afër tij është kryetari aktual i Prishtinës me 28.7% kurse Ramush Haradinaj ka 25.4% të pëlqimit të respodentëve.
Një nga pyetjet e sondazhit ka qenë edhe mendimi i respodentëve për koalicionet mes partive politike në Kosovë.
Votuesit kosovarë janë përgjithësisht të qartë rreth koalicioneve se a do të duhet të bëhen, ku 88.9% e tyre thonë se nuk duhet të bëhen koalicione dhe vetëm 11.1% e tyre mendojnë se duhet të bëhen ato.
Pjesa më e madhe e votuesve të preferojnë koalicion mes LDK dhe PDK.
Koalicioni i dytë më i preferuar është LVV dhe LDK, i treti në radhë është LVV dhe Lista Guxo, ndërsa katërti është ai mes LVV dhe PDK, preferenca më e vogël ka koalicioni në mes AAK me LDK dhe PDK.
Sondazhi ka pasur disa pyetje edhe për temën më të diskutuar politike në Kosovë, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
80% e qytetarëve të Kosovës janë përgjigjur me Jo për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa 9.4% janë përgjigjur me Po dhe 10.6% e tyre nuk janë përgjigjur fare.
Është bërë bujë e madhe rreth deklaratave të ndërkombëtarëve në Prishtinë të cilët thonë që draft statusi duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Kur u pyetën qytetarët se a duhet ta dërgojë Qeveria e Kosovës draftin në Kushtetuese, 41.5% e tyre u përgjigjen me Po, ndërsa 38% e tyre me Jo dhe 20.4% nuk kishin përgjigje për këtë çështje.
Nga të anketuarit, mbi gjysma e respondentëve, 52.8%, mendojnë se zhvillimet e vendit janë duke shkuar në drejtimin e duhur, ndërsa 38.4% mendojnë se janë duke shkuar në drejtim të gabuar.
Për ekonominë e vendit, 44% e respondentëve mendojnë se është duke shkuar në drejtimin e duhur, ndërsa 47.7% mendojnë se është duke shkuar në drejtim të gabuar.
Analiza e parashikimit te rezultateve deri ne zgjedhje
Shumica e të anketuarëve mendojnë se Qeveria e Kosovës është duke e ndjekur kursin e duhur të politikave zhvillimore të vendit. Përderisa 52.8% e të anketuarëve janë plotësisht të kënaqur me rrjedhën e përgjithshme të proceseve politike në Kosovë, 38.4% e të anketuarëve kanë shprehur bindjen se Qeveria e Kosovës është duke lëvizur në drejtim të gabuar.
Koncepti i drejtimit të duhur këtu përfshinë gamën e temave kryesore që kanë karakterizuar Qeverinë Kurti II – sjellja në dialog me Serbinë, paraqitja në politikën e jashtme dhe diplomacinë ekonomike, apikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare etj.
Në këtë kontekst, vlen të theksohet se sa i përket temave madhore mbështetja për
Qeverinë Kurti II jo vetëm që nuk ka rënë për rreth katër vite, por ajo ka shënuar një rritje të lehtë. Një rezultat i tillë shpalosë dy fakte kryesore sa i përket politikave të Qeverisë Kurti II dhe atyre opozitare. Nga njera anë, Qeveria Kurti II ka arritur që nëpërmjet aparature të sofistikuar propagandistike ta imponojë interpretimin e saj sa i përket temave kryesore në vend, nga dialogu me Serbinë, plani franko-gjerman deri te dështimi për anëtarësim në KiE.
Këtu gjithsesi duhet marrë në konsideratë faktin se posaçërisht për këto tema qeveria Kurti II ka qenë në thumb të kritikave të ashpra publike. Kjo mbetet një tregues se kundërshtimi politik nëpërmjet gazetarëve, analistëve mediatik apo përfaqësuesëve nga shoqëria civile pa një përfshirje sistemore nga partitë politike është një qasje jo frytëdhënse sa i përket ndryshimit të opinionit publik. Po ashtu, një rezultat i tillë imponon edhe një pikëpyetje serioze lidhur me besueshmërinë e kundërshtuesëve kryesorë të këtyre politikave përballë figurave të VV-së në sytë e opinionit publik.
Nga ana tjetër, mungesa e qëndrimeve të forta, të qarta dhe të prera sa i përket këtyre çështjeve themelore iu ka kushtuar tri partive kryesore në rrafsh elektoral. Në rradhë të parë, vetë fakti se përkundër problemeve të shumta Qeveri Kurti II ka ruajtur një vlerësim prej mbi 50% për pothuajse një mandat të plotë qeverisje, tregon një humbje në vetëvete për partitë opozitare.
Në rradhë të dytë, strategjia e heshtjes së qëllimshme e ndjekur prej disa partive opozitare me synim të shpërfaqjes së keqqeverisjes së Qeverisë Kurti II, nuk ka dhënë asnjë rezultat elektoral. Në rradhë të tretë, kundërshtimi i proceseve madhore sipas interesave momentale në rrethana të ndryshme politike, nuk i ka lënë asnjë shenjë elektorale Qeverisë Kurti II.
Ndonëse Qeveria Kurti gëzon ende një mbështetje prej më shumë se 50% sa i përket drejtimit të përgjithshëm politik, e njejta përqindje nuk vlen kur vjen puna edhe te dy temat kryesore të politikës së brendshme: gjendja ekonomike dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Çështja nr. 1: Gjendja Ekonomike në Kosovë
Gjendja ekonomike zë vend qëndrorë në peshorën e gjykimeve politike të elektoratit në Kosovë. Posaçërisht lidhur me ketë çështje, ekziston një dallim fare i ngushtë mes qytetarëve të (pa)kënaqur në rrafsh nacional. Përderisa 47. 7% e të anketuarëve mendojnë se politika e zhvillimit ekonomik të Qeverisë Kurti II është duke shkuar në drejtim të gabuar, 44 % prej tyre vlerësojnë se Kosova është në rrugën e duhur të zhvillimit ekonomik.
Këtu është i domosdoshëm sqarimi se këto të dhëna nuk tregojnë (pa)kënaqëshmërinë absolute të të anketuarëve me gjendjen e tyre aktuale ekonomike. Këto të dhëna tregojnë perceptimin e tyre lidhur me politikat e zhvillimit ekonomik të Qeverisë Kurti II në përgjithësi.
Dallimi në perceptim pozitiv apo negativ për 3.7% zbulon dy gjera kryesore nga këndvështrimi politik.
Nga njera anë, perceptimi publik lidhur me gjendjen ekonomike është një prej pikave më të dobëta të Qeverisë Kurti. Ndryshe nga shumica e çështjeve të tjera ku Qeveria Kurti II gëzon epërsi të qartë, 47.7% e të anketuarëve janë të pakënaqur me drejtimin e politikave të zhvillimit ekonomik të Qeverisë Kurti II. Një e dhënë e tillë megjithatë nuk mund të interpretohet e izoluar nga konteksti politik dhe duke shpërfillur pjesën tjetër të të anketuarëve.
Pse?
Pavarësisht se Qeveria Kurti qëndron në disavantazh sa i përket kësaj çështje, dallimi është vetëm 3.7% nga pjesa tjetër e të anketuarëve që mendojnë se Qeveria e Kurti II është saktësisht në rrugën e duhur të zhvillimit ekonomik të vendit. Një polarizim i skajmë në çështje krejtësisht të prekshme edhe në jetën përditshme të të anketuarëve tregon se edhe gjykimi për ekonominë e vendit është i pandashëm nga përkatësia politike në Kosovë. Pjesa fanatike e elektoratit të VV-së vazhdon ta arsyetojë me ngulm veprimtarinë e Qeverisë Kurti II edhe në çështje ekonomike.
Nga ana tjetër, narrativa kryesore e Qeverisë Kurti II ka qenë se ajo është një qeveri e me Dy J te medha ‘2 big J-s’ –Jobs and Justice(drejtesi dhe punesim)’.
Në të shumtën e komunikimeve publike, Qeveria Kurti është mburrur me të arriturat e hatashme në fushën e zhvillimit ekonomik: numër i pashembullt punësimesh, rritje dyshifërore ekonomike, ekonomika me rritjen më të shpejtë në Ballkan Perendimor mbeten vetëm disa prej qëndrimeve të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme prej përfaqësuesëve të Qeverisë. Fakti se përkundër sfidave të panumërta ekonomike, Qeveria Kurti II ka arritur të ruaj një perceptim pozitiv në shkallë prej 44% të pëlqyeshmërisë me gjendjen në vend, tregon se komunikimi i saj publik mbetet ende tejet efektiv.
Përfundimisht, ndonëse dekonstruktimi i politikave ekonomike të Qeverisë Kurti II duket një prej strategjive më të levërdishme gjatë ballafaqimit të tij në fushatën elektorale, mbetet e rëndësishme të theksohet se kjo duket e pamjaftueshme në mungesë së një diskursi të politizuar.
Çështja nr. 2: Gjendja Politike në Kosovë: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe
Diskutimi publik për themelimin të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka qenë një prej çështjeve më të nxehta politike që nga viti 2013 e tutje. Ndryshe nga perceptimi për gjendjen ekonomike në vend, i cili karakterizohet nga një polarizim i thellë sipas fronteve politike, shumica absolute e elektoratit kosovar qëndron kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thënë shkurt, 80% të anketuarëve janë kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, 9.4% janë pro dhe 10.6% prej tyre refuzojnë të përgjigjen.
Si fillim, fakti se 10.6% e të anketuarëve refuzojnë të përgjigjen për çështjen e asociacionit buron nga fakti se debati për këtë cështje është shoqëruar me fushata të ashpra linçuese në baza personale dhe kombëtare. Zbatimi i strategjive diskredituese ngaana e VV-së për më tepër se një dekadë ka lënë shenjë në gatishmërinë e publikut për tu shprehur hapur për këtë çështje.
Pjesa e të deklaruarëve pa ngarkesa, ndërkaq, tregon se opinioni publik në Kosovë është në mënyrë unanime kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky fakt shpërfaq dy elemente politike me domethënie të posaçme. Në rradhë të parë, VV ka arritur ta imponoj interpretimin e saj edhe në elektoratin e partive të tjera sikurse PDK, LDK dhe AAK përgjatë 10 viteve angazhim intensiv.
PDK dhe LDK, të cilat në faza të ndryshme kanë qenë të përfshira ne lidhjen e marrëveshjeve për asociacionin, e kanë humbur përfundimisht betejen politike me VV-në për këtë çështje.
Në rradhë të dytë, pozicionimi pro themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në këto rrethana mbartë pashmangshmërisht një kosto të lartë politike. Po ashtu, përpjekja e partive opozitare për ta paraqitur VV-në dhe Albin Kurtin si të përfshirë në çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe për shkak të lidhjes së planit franko-gjerman, nuk ka lëshuar rrënjë të thella në opinionin publik vendor.
Ky fakt përbën një arsye të mjaftueshme për ta rimenduar strategjinë opozitare kundër Qeverisë Kurti II.
Kundërshtimi pothuajse unanim në nivel vendi kundër themelimit të asociacionit nuk nënkupton se opinioni publik nuk është fare fleksibil lidhur me mundësinë e zbatimit të politikave alternative në çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për shembull, 41.5% e të anketuarëve mendojnë se Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë draftin e statutit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa 38% e tyre mendojnë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. 20.4% e të anketuarëve, ndërkaq, kanë refuzuar të japin përgjigje për këtë çështje.
Edhe lidhur me mundësinë e dërgimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe ekziston një rezervë e theksuar e publikut vendor për tu përgjigjur. Kjo mbetet provë e gjurmës së thellë të ndikimit të fushatave të ashpra linçuese dhe diskredituese të VV-së për çështjen në fjalë.
Fakti se opinioni publik ndahet në 41.5% për dhe 38% kundër mundësisë së dërgimit të draftit në Gjykatë Kushtetuese është tregues i disa gjërave. Përkundër sulmeve të vazhdueshme të Qeverisë Kurti II ndaj Gjykatës Kushtetuese, besimi i të anketuarëve në Gjykatën Kushtetuese ende mbetet i lartë krahasuar me institucionet tjera publike.
Sidoqoftë, këtu vlen theksuarse një mbështetje për një politikë të tillë vjen edhe nga fakti se Qeveria Kurti II asnjëherë nuk e ka mohuar në mënyrë kategorike dërgimin e asociacionit të komunave serbe. në Gjykatën Kushtetuese. Kësisoj, mbështetja për dërgimin e draftit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese vjen si rrjedhojë e një kombinimi të besueshmërisë në GJK-në, eficiencës së interpretimeve të Qeverisë Kurti II dhe, në fund, përkrahjes së kësaj ideje nga vetë partitë opozitare.
Për fund, këtu duhet theksuar se 38% e opinionit vendor është edhe kundër dërgimit të draftit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese. Një e dhënë kaq e lartë tregon se një pjesë e konsiderueshme e opinionit vendor është ende nën ndikim të interpretimeve radikale të VV-së lidhur me këtë cështje.
Një kontrast me një dallim prej vetëm 3.5% tregon se ndonëse një pjesë e opinionit e mbështetë idenë e dërgimit të draftit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, pjesa e mbetur është e prerë në kundërshtimin e kësaj mundësie, pavarësisht pasojave politike.
Mbështetja për Koalicione dhe Bashkëqeverisje
Shumica absolute e elektoratit vendorë janë kundër koalicioneve ndër-partiake në Kosovë: 88.9% e të anketuarëve janë deklaruar kundër tyre, ndërsa 11.1% e të anketuarëve janë shprehur pro tyre.
Nje shprehje kaq e prerë kundër koalicioneve qeverisëse tregon se polarizimi ndër-partiak është ende i një shkalle tejet të thellë në Kosovë.
Kryqëzimi i të dhënave tregon se pjesa kryesore e të anketuarëve opozitarë preferojnë një koalicion LDK-PDK. Koalicioni i dytë më i pëlqyer është LVV dhe LDK, i treti me rradhë është LVV dhe Lista Guxo, dhe i katërti ësht LVV dhe PDK, i pesti me rradhë me një preferencë skajshmërisht të vogël është AAK-LDK-PDK.
Duke e marrë parasysh klimën e polarizuar politike, perceptimi për afrimin e mëtejmë LVV dhe PDK pritet të shkaktoj dëme elektorate te vetë PDK. Në këtë rrethanë, pra, ekziston një pritje e arsyeshme se një pjesë e të papërcaktuarëve do lëvizin në drejtim të LDK-së.
Politika konfrontuese dhe diskursi kundër krejt partive në Kosovë po ashtu pritet që t’i ndihmojë VV-së më shumë sesa promovimi i koalicioneve për qeverisjen e ardhshme.
Metodologjia
Hulumtimi i realizuar nga Albanian Post dhe Source, sipas metodës së rastit, ku së pari është identifikuar numri i përafërt i popullatës në Kosovë, rrjedhimisht edhe numri i anketave që duhet bërë. Pastaj është caktuar raporti i anketave që duhen realizuar në viset rurale dhe urbane, në mënyrë që të reflektohet përpjesëtimi real brenda popullatës. Përfundimisht, janë caktuar pikenisjet (lokacionet) e sakta ku do të bëhen anketat.
Sipas metodologjisë së hulumtimit, anketat e caktuara për një lokalitet realizohen në grup prej 5 anketave (që quhet pikënisje). Një gjë e tillë mundëson përcaktimin e identiteteve të lokaliteteve të ndryshme brenda një vendbanimi apo komune. Kështu, një pikënisje mund të jetë rruga “Nëna Tereze”, ku anketuesit duhet të bëjnë një anketë në çdo të tretën shtëpi, të cilat gjenden në njërën anë të kësaj rruge. Anketuesit duhet ta bëjnë anketën me personin që ka datëlindjen më të afërt me ditën e anketimit. Kjo metodë është dëshmuar të ketë saktësi të lartë statistikore.
Të dhënat numerike të prezantuara në këtë raport bazohen mbi një anketë e cila është realizuar me një mostër përfaqësuese me 1050 pyetësor të elektoratit në të gjitha komunat e Kosovës. Në përputhje me metodologji shkencore standarte të aplikueshme. Mostra e të anketuarve është përfaqësuese, kjo nënkupton se struktura demografike e mostrës së respondentëve të anketës përputhet me strukturën demografike të elektoratit në komunave respektive, dhe si rrjedhojë i reflekton preferencat e elektoratit.
Në hulumtim janë përfshirë 28 komuna në të gjithë Kosovën: Prishtina, Peja, Gjakova, Prizren, Mitrovica, Ferizaj, Gjilan, Podujevë, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq, Vushtrri, Istog, Klinë, Drenas, Skenderaj, Deçan, Junik, Dragash, Rahovec, Suharekë, Malishevë, Shtime, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit dhe Mamushë.
Hulumtimi në terren është vijuar nga një kontroll logjik i pyetësorëve nga ekipi hulumtues dhe nga verifikimi i vërtetësisë së të dhënave përmes telefonimit të 30% të personave të anketuar. Përpunimi i të dhënave është bërë në programin statistikor SPSS, prej ku janë prodhuar tabelat dhe kryqëzimet e prezantuara në raport.
Pas kontroleve, të dhënat e hulumtimit janë futur në bazën e të dhënave dhe janë përpunuar me programin e specializuar statistikor SPSS 25.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë