Kosova

“S’mund të ndikojmë tek vendimet e Brukselit”, thotë Kurti për vendimin e BE-së për pasaportat


Kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Këshillit Evropian për t’i njohur pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd dhe për t’ua mundësuar serbëve të Kosovës të lëvizin pa viza në Zonën Schengen është i padrejtë, por që nuk mund të ndikojnë tek vendimet e Brukselit.

Deklaratën Kurti e ka bërë gjatë përurimit në Klinikën e Kardiokirurgjisë kur është pyetur nga gazetarët rreth qëndrimit të tij për këtë çështje.

“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshëm dhe gjithashtu dekurajues për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë”.

“Ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit, japim qëndrimin tonë dhe qëndrimi jonë nuk mund të jetë i ndryshëm. Ajo çfarë ka thënë presidentja, ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës është qëndrimi i përbashkët i institucioneve tona”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Bashkimi Evropian morri vendim që të ua heq vizat serbëve me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën.

Qeveria e Kosovës, në një reagim për media të hënën ka thënë se vendimi është një nguti e pashpjegueshme e BE-së.

“E pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Si lëshohen pasaportat për serbët e Kosovës nga Serbia?

Autoritetet e Serbisë lëshojnë disa pasaporta të veçanta për serbët e Kosovës, sipas të cilave Kosova është pjesë e shtetit serb.

Me këto lloj pasaportash janë të pajisur serbët që jetojnë në Kosovë.

Ato nuk janë identike si pasaportat për serbët që jetojnë në Serbi.

Gjithashtu, ndryshe nga pasaportat për qytetarët që jetojnë në Serbi që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisw, këto pasaporta lëshohen nga një institucion i quajtur Drejtoria Koordinuese serbe në Beograd.

Në dhjetor të vitit 2009, kur Bashkimi Evropian kishte vendosur t’ia liberalizojë vizat Serbisë për zonën Schengen, liberalizimi i vizave nuk kishte vlejtur edhe për këto pasaporta që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, duke vendosur kështu një mosnjohje për këto dokumente si të rregullta.

Por, në vitin 2023 Bashkimi Evropian përmes Komisionit bëri një propozim që të ketë heqje të vizave edhe për këto pasaporta, duke i njohur edhe ato si dokumente valide.

Propozimin e komisionit tash e ka aprovuar edhe Këshilli Evropian (praktikisht qeveria e BE-së), duke i bërë ato zyrtarisht dokumente valide për BE-në.

Vendimi i BE-së për pasaportat e serbëve “e bën Kosovën shtet me dykuptimësi dhe i legalizon strukturat paralele”, Qeveria Kurti dështoi t’i bindë evropianët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore