Kosova

Sllovenia vitin e ardhshëm do të dyfishojë praninë e saj në KFOR


Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka bërë të ditur se Lubjana zyrtare do të dyfishojë praninë e saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

Shtimi i trupave sllovene në kuadër të KFOR-it, sipas Golob, do të ndodh vitin e ardhshëm.

Këto komente Golob, siç njoftojnë mediat sllovene, i ka bërë gjatë samitit të NATO-s në Uashington.

“Prania e aleancës në Ballkanin Perëndimor po rritet me iniciativën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili e njeh mirë rajonin”, ka thënë ai.

Ndryshe së fundmi Bundestagu i Gjermanisë e ka zgjatur mandatin edhe për 1 vit të ushtarëve gjermanë që shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

Pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë me sulmin terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit, prezenca e NATO-s nëpërmjet KFOR-it është rritur shumë.

Ndërkaq një zyrtar i NATO-s ka deklaruar të enjten se aleanca është “shumë e shqetësuar” për situatën e rënduar të sigurisë dhe potencialin e “përkeqësimit të tensioneve” midis Kosovës dhe Serbisë.

Andaj ai ka potencuar se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik”, u ka thënë gazetarëve një zyrtar i aleancës në kuadër të samitit të Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA).

“Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie”, ka shtuar ai, teksa ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë. “Ne vazhdojmë t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike”, ka theksuar ai sipas “Zërit të Amerikës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore