Në zgjedhjet më të pasigurta dhe më të luftuara të 25 viteve të fundit, Sllovakia më në fund ka vendosur se cilën anë të mbajë.
Nga sot presidenti i ri i republikës është Peter Pellegrini, lider i partisë në pushtet “Hlas-SD” të udhëhequr nga Kryeministri nacionalist pro-rus, Robert Fico.
Pellegrini mundi në raundin e dytë pro-evropianin Ivan Korcok, ministër i Jashtëm për periudhën dyvjeçare 2020-2022, me 54.4% kundrejt 45.6% të votave dhe tani është e lehtë të parashikohet se ekzekutivi do të ketë në dorë për pesë vitet e ardhshme, një president që nuk do të kundërshtojë atë që vëzhguesit e përkufizojnë si “orbanizim” të Sllovakisë.
Në vend të kësaj do të mbështesë hapat e ardhshëm të Ficos, të cilat ndoshta do ta largojnë Bratislavën edhe më shumë nga Evropa dhe do ta bëjnë të vështirë mbështetjen e Bashkimit për Ukrainë.
I vetëdijshëm për shqetësimin ndërkombëtar për pozicionet e Ficos, 48-vjeçari Pellegrini argumentoi se vota “nuk ka të bëjë me drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme” të Sllovakisë.
“Unë garantoj se do të vazhdojmë të jemi një anëtar i fortë i BE-së dhe të NATO-s”.
Presidenca në Sllovaki është kryesisht ceremoniale, por kreu i shtetit gjithmonë mund të vërë veton ndaj ligjeve dhe të emërojë zyrtarë kryesorë, duke rezultuar në një pengesë – ose mbështetje – për zgjedhjet e Ficos.
Sipas kritikëve të qeverisë, Fico po ndjek hapat e Orbanit në drejtësi, media dhe marrëdhëniet – shumë “të relaksuar” – me Putinin.
Në detyrë që nga tetori i kaluar, qeveria e përbërë nga partia Smer e Ficos, “Hlas” e Pellegrinit dhe formacioni i vogël i ekstremit të djathtë “Sns” ka ndaluar ndihmën ushtarake shtetërore për Ukrainën.
Pellegrini ishte ministër në qeveritë e mëparshme të Ficos dhe madje e zëvendësoi atë në krye të qeverisë në vitin 2018.
Megjithëse ishte rival i tij për një periudhë, në një debat televiziv gjatë fushatës zgjedhore ai pranoi: Unë po kandidoj për të shpëtuar qeverinë e Robert Ficos.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com