Sinani: Sa herë kaloj kufirin ndalem nga autoritetet serbe – formë e qartë e diskriminimit dhe presionit
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se si përfaqësuese e shqiptarëve në Luginë, sa herë kalon kufirin, ndalohet dhe mbahet pa asnjë arsye të justifikueshme, me disa raste deri në një orë.
Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka thënë se ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi.
“Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një ‘liste të zezë – blacklist’ të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë”, shkroi Sinani.
Për këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti, është e qartë që kjo nuk është një rastësi, “por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit”.
Kjo listë, thekson ajo, “është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve”.
“Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, përfundoi ajo.
Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.
Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet.
Ndërsa, pas kësaj proteste janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë