Kosova

Sigurim shëndetësor dhe jetësor për policët – as këtë premtim s’e mbajti Albin Kurti


Foto nga Albanian Post

Sigurimi jetësor e shëndetësor premtohej dikur për Policinë e Kosovës nga kryeministri aktual Albin Kurti, mirëpo kur iu dha mundësia për ta realizuar premtimin e dhënë, refuzoi ta trajtojë si temë.

Mandati i plotë qeverisës po kalon dhe policët s’kanë sigurime jetësore e as shëndetësore.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli ka munguar një përgjigje për arsyet e mosrealizimit të këtij zotimi.

Për Nënkryetarin e Sindikatës të Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, një sigurim i tillë është i nevojshëm të realizohet meqë zyrtarët policorë janë të rrezikuar në çdo moment gjatë punës së tyre.

Ndonëse kanë kaluar 25 vjet nga themelimi i PK-së, Hoti thekson se akoma mungon sigurimi shëndetësor e jetësor për ta, kërkesat për të realizuar një gjë të tillë thotë se përherë janë drejtuar në Qeveri.

“Kemi kërkuar edhe që të bëhet një sigurim shëndetësor alternativ për Policinë e Kosovës. Zakonisht kemi marr përgjigje, përgjigjet edhe premtimet kanë qenë sa më shpejt që është e mundur do të zgjidhet kjo çështje dhe do të bëhet një sigurim, por deri tani nuk kemi diçka konkrete”, ka thënë ai për Albanian Post.

“Se ku kanë ngecur punët, pyetni ata, sepse ne nuk e dimë”, tha Hoti.

Duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e punës së tyre, nënkryetari i sindikatës apelon sërish që të bëhet një sigurim për zyrtarët policorë, sepse është i domosdoshëm.

Për arsyen e vonesës së këtij procesi, për AP njohësi i fushës së sigurimeve, Sami Mazreku, vlerëson se çdo Qeveri po pret të jetësohet ligji për sigurime shëndetësore publike, por derisa ky ligj të bëhet ai konsideron se duhet të ketë një plan tjetër.

“Është diçka e mundshme, munden të mos presin ligjin, derisa të jetësohet 100 për qind edhe në praktikë, është diçka që munden me bë shumë shpejt. Qeveria e ka vetëm një obligim, nëse do ta kryejë këtë premtim, zotimin e katër deri në pesë milionë euro për çdo vit, për aq vjet, sa do ta sigurojë Policinë e Kosovës”, ka treguar ai për AP.

Kompanitë e sigurimeve, Mazreku thekson se “kanë përvojë, potencial dhe janë mirë të kapitalizuara që këtë numër të madh të zyrtarëve policorë ta mbulojnë”.

Ai thotë se “nuk është luks, është nevojë. Ju i keni parë edhe veprimet e fundit që po ndërmerren në Veri, ne kemi thënë edhe më herët që sigurimi është mbulesë financiare”.

“Nuk është që e shpëton dikë, mirëpo nëse dikush lëndohet apo ka një rast tjetër më të rëndë atëherë ai zyrtar policor mos me u bë barrë e buxhetit të shtetit ekstra, e ka sigurimin, mbulohet nga një kompani e sigurimit dhe gjithçka është në rregull”.

Në takimet që i ka pasur në kohën sa ka qenë në sigurime, Mazreku tregon se si ka pasur vullnet që Sindikata e Policisë “të paktën 50 për qind t’i marr mjetet nga Qeveria e Kosovës dhe për 50 për qind t’i mbulojë edhe vetë nga buxheti i tyre, vetëm që kjo të jetësohet, sepse ata duan që shpenzimet që i krijojnë t’i kenë të mbuluara nga ky sigurim”.

Kryeministri Kurti ka pasur shumë premtime në fushatë zgjedhore, thotë për AP deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, derisa komenton mosrealizimin e këtij premtimi.

“S’kemi asnjë veprim. Kjo është një papërgjegjësi e madhe pikërisht për shkak të angazhimeve që policia i ka me rrezikshmëri të lartë dhe lëndimeve që po i merr gjatë operacioneve policore kudo në Kosovë, posaçërisht në pjesën Veriore të vendit”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i PK-së potencon se të “gënjesh hapur” se je duke e mbështetur Policinë, dhe ta proklamosh tërë kohën një gjë të tillë, e të bësh “propagandë” që je duke ndarë buxhet shtesë për policinë, është vetëm një njeri që mund ta bëjë: Kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij.

“E cila e ka degraduar skajshmërisht rolin e policit, pozitën e policit dhe institucionin e policisë”.

Si deputet opozitar, Qalaj nënvizoi se kanë marr shumë iniciativa sa i përket ligjit për pensionimin e parakohshëm e të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me PK-në, “mirëpo s’ka kaluar asnjë”, sepse s’ka lejuar pushteti.

AP ka dërguar pyetje edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit për të kuptuar më shumë rreth kësaj situate, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Albanian Post pati raportuar edhe se si përmes miratimit të Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë, Kurti zotohej se zyrtarëve policorë do t’u garantohej e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Mirëpo, as kjo nuk ndodhi.

Një tjetër premtim, kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo edhe ky zotim nuk është aspak afër realizimit.

Rritja e cilësisë në arsim nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tani partia në pushtet, vlerësohej se mund të arrihej përmes mbështetjes së mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre.

Qeveria Kurti zotohej se do të krijonte bibliotekat e mësimdhënësve në secilën shkollë duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës.

Pastaj, për mësimdhënësit ishin zotuar se do të ofronin edhe banimin me kosto të përballueshme.

Por, këto premtime kanë mbetur vetëm në suaza të premtimeve, madje sipas disa komunave as nuk ka pasur ndonjë përpjekje për realizimin e tyre.

Partia në pushtet, ishte zotuar se do të krijonte edhe vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë, por çerdhet e finalizuara nuk janë aspak afër numrit të premtuar.

Ekzekutivi iu premtoi zgjidhje përfundimtare për strehimin të moshuarve të vetmuar në Kosovë, duke u zotuar se do të ndërtonte pesë shtëpi, por që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Po ashtu, nuk është realizuar as premtimi për rritjen e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.

Pastaj, nuk pati veprime as lidhur me premtimin për rritjen e qendrave dhe shërbimeve për gjendjet e caktuara si autizmi, sindromë Doën e të tjera.

Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në përfundimin e mandatit qeverisës, pushteti, ndonëse ishte zotuar, nuk e mbajti as premtimin elektoral për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit, premtonte dikur Kurti.

Ndonëse u zotua se do të mundësonte këtë pushim për të dy prindërit, nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë përgjatë mandatit qeverisës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore