Kosova

Si u vra Faton Hajrizi nga policia e Serbisë


Faton Hajrizi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është likuiduar personi që vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër të enjten në Loznicë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – që dyshohet të jetë Faton Hajrizi.

“Pjesëtarët e policisë vranë vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës”, tha Daçiç, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Në vendin e ngjarjes, siç raportojnë mediat serbe, ka dalë edhe vet Daçiç.

Daçiç u tha gazetarëve se Fatoni qëlloi gjithsej nëntë plumba në drejtim të policisë serbe kur e gjetën, pas së cilëve ai u vra.

“Ai është raportuar nga një banor i fshatit Trbusnice kur i ka kërkuar ujë”, potencoi Daçiç dhe shtoi se në këtë zonë ndodheshin rreth 400 policë që po e kërkonin.

Ndërsa, gazeta serbe “Blic”, ka shkruar, duke u thirrur në burime të saja, se Faton Hajrizi ka tentuar që të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë, por nuk ia ka dalë.

Sipas kësaj gazete, Hajrizi është fshehur në një kompleks të braktisur fabrike, në të cilin thotë se prej vitesh fshihen emigrantët në pritjeje të një “lidhjeje” “për të ikur përtej Drinës.

Ndërsa, sipas medias tjetër serbe “Informer”, Faton Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë, për çka edhe ka mbetur i vrarë.

Edhe media tjetër serbe “Novosti” shkruan se Hajrizi u vra pasi i bëri rezistencë policisë.

Kjo medie raporton se pasi që MPB-ja serbe publikoi foton e të Hajrizit, njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës.

Pas kësaj, pjesëtarët të shumtë të MPB-së serbe bllokuan të gjithë zonën dhe rrugën “Drinska” dhe vranë Hajrizin.

Tanimë, mediat në Serbi kanë publikuar edhe fotografi të trupit të viktimës.

Po ashtu, në mediat serb është publikuar edhe një armë, e cila ka logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të cilën pretendojnë se është e Faton Hajrizit.

Lajmi për vrasjen e Faton Hajrizi, erdhi pak orë pasi që MPB-ja serbe e shpalli Hajrizin zyrtarisht në kërkim.

Disa javë pas arratisjes spektakolare – të nëntën me radhë – nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë, Faton Hajrizi, u bë të enjten personi më i përfolur në rajon.

Në orët e para të së enjtes (00:55), në Lozincë të Serbisë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – Hajrizi dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.

Vrasja ka ndodhur kur zyrtarët policorë serbë kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, pasi e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes, ku dyshohet se ka qenë Hajrizi.

Siç raportohet për ngjarjen, njëri prej personave, që dyshohet të jetë Hajrizi, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull dhe më pas ka ikur.

Më pas, të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, derisa Kërsmanoviç ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Pas kësaj ngjarje, forca të shumta policie u panë nëpër rrugët e Loznicës dhe në një perimetër më të gjerë në kërkim të të dyshuarit për vrasjen e policit serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore