Lajme

Si u thye rekordi i eksporteve ushtarake izraelite


Gjermania dhe Izraeli po avancojnë marrëveshjen më të madhe të eksportit të mbrojtjes izraelite.

Finlanda bëhet vendi i parë evropian që blen sistemin e mbrojtjes ajrore të Izraelit David’s Sling.

Elbit Systems i është dhënë një kontratë prej 305 milionë dollarësh me Holandën.

Estonia po blen drone izraelite në një marrëveshje me vlerë më shumë se 100 milionë euro.

Këto janë vetëm disa nga titujt që u shfaqën në mediat izraelite muajt e fundit.

Kjo, duke pasqyruar një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet e sigurisë së vendit me Evropën.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe kërcënimi rus mbetet, vendet evropiane po rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe Izraeli po përfiton në një mënyrë të madhe – jo vetëm financiarisht.

Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit publikoi të dhënat e fundit që tregojnë se viti 2022 ishte një vit rekord për eksportet e mbrojtjes të vendit.

Krahas një rritjeje dramatike të eksporteve në “vendet e Marrëveshjes së Abrahamit” si Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të konsiderueshme të eksporteve në vendet evropiane, me vlerë rreth 3.6 miliardë dollarë.

Zyrtarët izraelitë thonë se ky trend po vazhdon me “gaz të plotë” deri më tani në vitin 2023, në mes të luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe prioriteteve të reja të mbrojtjes të Evropës.

Diplomatët evropianë që folën me agjencinë “Haaretz” vlerësuan se kontinenti do të rrisë marrëveshjet me Izraelin në vitin e ardhshëm.

Marrëveshja e Gjermanisë për të blerë sistemin izraelit antiballistik Arrow-3 është shembulli më i fundit dhe më domethënës i realitetit të ri.

Shuma totale e saj është rreth 3.5 miliardë euro dhe parlamenti gjerman pritet të miratojë një paradhënie me vlerë rreth 600 miliardë euro.

Izraeli dhe Gjermania filluan negociatat për marrëveshjen në vitin 2020, por bisedimet u përshpejtuan dhe u realizuan vetëm muajt e fundit, për shkak të ndjenjës së urgjencës të krijuar nga lufta në Ukrainë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz urdhëroi qeverinë e tij të vendosë njësinë e parë operacionale të sistemit Arrow 3 në tokën gjermane në vitin 2025.

Sistemi është krijuar për të mbrojtur nga kërcënimet balistike të kokave konvencionale dhe jokonvencionale.

Për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania pritet të rrisë më tej buxhetin e saj të mbrojtjes për vitin 2024 me rreth 10 miliardë euro.

Ashtu si shumë vende të tjera evropiane, Gjermania prej vitesh po mendon të ndajë rreth 2 për qind të PBB-së së saj për frymë për kërkesat e mbrojtjes.

Kjo aspiratë teorike është bërë një politikë aktuale në vendet anëtare të NATO-s për shkak të luftës në Ukrainë.

Burimet izraelite thanë gjithashtu se ndryshimi më i madh mund të shihet në vendet që përballen me një kërcënim të rëndësishëm nga Rusia.

Estonia, vendi më i vogël në rajonin e Balltikut, ndryshoi vitin e kaluar modelin e votimit për çështjet që lidhen me Izraelin në Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm estonez shtoi se në rastet kur nuk ka kërkesë që anëtarët e BE të votojnë si një bllok, Estonia do t’i përmbahet modelit të votimit pro-izraelit të Washington-it.

Estonia gjithashtu ka nënshkruar së fundmi një sërë marrëveshjesh me Izraelin, të mundësuara duke rritur buxhetin e saj të mbrojtjes nga 400 milionë në 600 milionë euro në vit.

Një tjetër vend baltik që gëzon marrëdhënie të ngushta me Izraelin është Lituania, kryeministri i së cilës vizitoi Izraelin në fillim të kësaj jave dhe u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Siç u raportua nga Haaretz në prill, marrëveshja më e madhe e armëve e Lituanisë në histori që përfshinte kontraktorin izraelit të mbrojtjes Rafael, krijoi një krizë midis Jerusalemit dhe Vilniusit që u zgjidh vetëm pasi u përfshinë zyrtarë të lartë izraelitë.

Që atëherë, marrëdhëniet midis dy vendeve janë rivendosur.

Një nga arsyet e vizitës së fundit të kryeministres Ingrida Shimonita në Izrael ishte shqyrtimi i marrëveshjeve shtesë midis vendeve.

Dy vende të tjera që tërheqin vëmendjen e Izraelit si potencial për marrëveshje armësh janë dy shtesat e reja në NATO – Finlanda dhe Suedia – të cilët gjithashtu pritet të rrisin në mënyrë dramatike buxhetet e tyre të mbrojtjes.

Finlanda ka blerë së fundmi sistemin raketor David’s Sling të Izraelit për rreth 345 milionë dollarë, dhe në fund të vitit të kaluar, ajo bleu raketa antitank Spike për rreth 240 milionë dollarë.

Vendet e Evropës Jugore që janë afër frontit ukrainas po rrisin gjithashtu buxhetet e tyre të mbrojtjes, duke krijuar kështu mundësi të reja për kompanitë izraelite që të ndërhyjnë.

Rumania, për shembull, e cila kufizohet me Ukrainën në jug dhe është gjithashtu e shqetësuar nga mundësia që një tjetër fqinjët e saj, Moldavia, do të jenë në shënjestër të rusëve në të ardhmen, blenë një sërë sistemesh nga Elbit në mars për qindra miliona dollarë.

Marrë dhe përshtatur nga “Haaretz” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore