Nga zierja e makaronave e deri te pajisjet vampirike (karikuesit), ekspertët shpjegojnë se si mund të reduktoni faturat tuaja të energjisë elektrike.
Me faturat e energjisë në mendjen e të gjithëve, ato pyetje të vogla se si të shkurtoni përdorimin tuaj kanë dalë në pah.
The Guardian u ka kërkuar ekspertëve të përgjigjen në disa prej pyetjeve më të shpeshta.
A është më e lirë të zieni ujin për makaronat në një kazan elektrik apo një tigan në një pllakë me gaz?
Brian Horne, konsulent i lartë i njohurive dhe analitikës në “Energy Saving Trust”, thotë se një kazan është më efikas se një pianurë për ngrohjen e ujit, pasi nxehet nga brenda, ndërsa tigani nxehet nga jashtë dhe duhet të ngrohet fillimisht.
Kazanët do të vlojnë ujin më shpejt dhe do të përdorin më pak njësi energjie.
Por ndërsa pianurat me gaz zgjasin shumë më tepër dhe përdorin deri në tre herë më shumë energji në terma njësi, grupi i konsumatorëve “Which?” thotë se për shkak se gazi është më i lirë se energjia elektrike (më pak se një e treta për njësi), është pak më e lirë të vlosh ujin në një pllakë me gaz sesa të përdorësh një kazan elektrik.
Kjo supozon se po zieni vetëm sasinë që ju nevojitet, po përdorni një kapak dhe fikni pianurën sapo të ketë zier.
A po harxhoj energji duke e lënë karikuesin e telefonit në prizë?
Po. “British Gas” vlerëson se deri në 23% të përdorimit tonë të energjisë elektrike, ose 200 funte në vit aktualisht, mund të zvogëlohet në ato që quhen pajisje vampirike – karikues të lënë në prizë dhe të ndezur ose artikuj në gatishmëri.
Hi-fi, televizorët, set-top box-et dhe konzolat e lojërave që janë në gatishmëri, që të gjitha shpenzojnë energji elektrike – dhe sa më e vjetër të jetë pajisja, aq më e madhe është ngarkesa.
Megjithatë, këtu pjesë bëjnë edhe karikuesit e padukshëm, si ata për furçat e dhëmbëve elektrike, brisqet, etj.
“Sapo pajisja juaj të jetë plotësisht e ngarkuar, përpiquni të krijoni zakonin ta hiqni nga priza”, thotë Marc Robson nga “British Gas”.
“Përveç kursimit të energjisë, kjo do të zgjasë jetën e baterisë tuaj. Dhe gjithashtu mund t’ju kursejë rreth 60 funte në vit në faturat tuaja të energjisë elektrike”, shton ai.
A janë pianurat elektrike apo me gaz më të lira për t’u gatuar?
Gazi – sepse çmimi për njësi është shumë më i ulët se çmimi për njësi i energjisë elektrike. Kjo kompensohet pjesërisht nëse keni një pllakë me induksion.
“Nëse po kërkoni të reduktoni emetimet tuaja të karbonit, merrni parasysh përdorimin e një pianure elektrike ose induksioni në vend të gazit”, thotë Horne.
“Panurat me induksion janë zakonisht më efiçentët në energji pasi nuk humbet energji për ngrohjen e hapësirës rreth tiganit”, shton ai.
Çfarëdo që të përdorni, Robson thotë se mund ta shkurtoni përdorimin e energjisë me disa zgjedhje të kujdesshme.
“Përdorni madhësinë e duhur të tenxheres për atë që po gatuani dhe mbusheni me mjaft ujë. Vendosja e një kapaku do të kursejë energji dhe do të reduktojë kondensimin në kuzhinë gjithashtu”, shton ai.
A mund t’i laj rrobat siç duhet në më pak se 40C?
Po.
“Pluhurat dhe detergjentët modernë të larjes funksionojnë në mënyrë efektive në temperatura më të ulëta,” thotë Horne.
Markat si Ariel dhe Persil reklamojnë se produktet e tyre funksionojnë në 30C. Asnjë nuk duket se ka pretendime për larjet më poshtë se kaq.
Thjesht zhvendosja e çelësit në 30C do të bëjë një ndryshim të madh në koston e përdorimit të një lavatriçeje – Horne thotë se do të ulë energjinë e nevojshme me 40%.
“Tjerrini rrobat tuaja përpara se t’i varni për t’u tharë, në vend që të mbështeteni te tharësja juaj”, shton Robinson.
A duhet ta mbaj shtëpinë time në një nxehtësi të vazhdueshme apo ta lë të ftohet dhe të ngrohet?
“Ju gjithmonë do të kurseni para duke fikur ngrohjen kur nuk ju nevojitet”, thotë Horne.
“Do të duhet energji shtesë për t’u ngrohur kur ta ndizni përsëri, por kjo do të jetë gjithmonë më pak se energjia e harxhuar duke përdorur ngrohjen kur nuk keni nevojë.”
Ai thotë se përjashtimi i vetëm është nëse keni një pompë nxehtësie, pasi këto janë më efikase nëse i lini të funksionojnë për më gjatë me një fuqi më të ulët.
Martyn Bridges, drejtor i mbështetjes teknike në prodhuesin e kaldajave “Worcester Bosch”, pajtohet po ashtu, teksa thotë – “Përgjithësisht është më ekonomike të fikni sistemin tuaj të ngrohjes kur nuk keni aq shumë nevojë për të. Për shembull, gjatë natës ose pjesëve të ditës kur shtëpia është bosh”.
A ka gjithmonë kuptim të fikni dritat kur dilni nga një dhomë?
“Llambat tradicionale dhe dritat moderne LED nuk kërkojnë energji shtesë për t’u ndezur, kështu që duhet t’i fikni gjithmonë kur nuk i përdorni ose kur dilni nga një dhomë”, thotë Horne.
Ai thotë se kjo mund t’ju kursejë rreth 20 funte në vit.
Robson thotë se LED-et janë aq efikase në energji sa që nuk do të ketë shumë ndryshim në faturat tuaja nëse i lini të ndezura për pesë minuta kur dilni nga dhoma “por ne gjithmonë këshillojmë t’i fikni ato gjithsesi”, shton ai.
Nëse keni ende ndonjë llambë tradicionale, ndërrimi i tyre për LED do të rezultojë në një kursim energjie prej 69%.
A është më lirë të bësh banjo vaske apo dush?
Një dush i shkurtër.
“Një banjë tipike kërkon rreth 90 litra ujë, të ndarë midis 60 litra ujë të nxehtë dhe 20 deri në 30 litra ujë të ftohtë. Një kokë dushi e zakonshme me mikser termostatik shkarkon rreth nëntë litra në minutë, duke kërkuar rreth gjashtë litra të nxehtë dhe tre litra të ftohtë. Pra, nëse bëni dush në më pak se 10 minuta, do të jetë më ekonomike të bëni dush”, thotë ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
“Meghan dhe Harry gjithnjë e më pranë divorcit”: Thashethemet për një krizë të pashërueshme
-
Javier Bardem: Me Penélope Cruz u ndje kimia që në takimin tonë të parë në vitin 1992
-
Në Shqipëri ka 343 mijë beqarë, më së shumti meshkuj
-
Mundimi në një fermë lulesh keniane për të dërguar trëndafila të freskët në Evropë