Libra

“Si njeriu, ashtu edhe shteti”


Scuola di Atene, e Raffaello Sanzio da Urbino

Prapa maskave të problemeve politike, filozofi më i madh i antikitetit grek, Platoni, thotë se qëndron natyra njerëzore – dhe se për mirë apo keq, s’mund të kuptojmë as politikën, e as s’mund të konceptojmë shoqëri të harmonizuar dhe funksionale, pa gërmuar së pari në rrënjët e psikologjisë njerëzore.

“Si njeriu, ashtu edhe shteti”, thotë urtia tradicionale dhe se “qeveritë variojnë aq sa edhe njerëzit variojnë”.

Pra, rrjedhimisht, Platoni konsideron se është marrëzi të pritet shtet e politikë më e mirë, pa i parë njerëzit së pari të bëhen më të mirë, sepse sipas logjikës së fituar nga përvoja, shtetet janë çfare janë sepse njerëzit brenda tyre janë çfare janë.

Platoni konsideron se sjellja njerëzore ka tri burime kryesore: dëshira, emocioni, dhe dija.

Dëshirat, apetitet, impulset, instinktet, përbëjnë kategorinë e poshtme të natyrës njerëzore. Ndjenja, fryma, ambicja, kurajo, këto e përbëjnë kategorinë e mesme, kurse dija, mendimi, intelekti, arsyeja, janë kategoria më e lartë.

Këto fuqi dhe cilësi, sipas Platonit, janë brenda të gjithë neve, por variojnë për nga niveli.

Disa janë mishërues të dëshirës, dhe vetëm dëshirës, të paepur, që janë të fundosur nga dëshira për përfitim dhe grindje, që janë përplot epsh ndaj lluksit dhe të qenit të ekspozuar me atë lluks. Këta njerëz dominojnë dhe manipulojnë industrinë dhe tregëtinë, në dëshirën për pasuri materiale.

Disa të tjerë janë paragonë të emocioneve dhe guximit, jo për të fituar diçka, por për fitoren “marrë në vetvete dhe për vetvete”, krenaria e tyre konsiston në të pasurit pushtet dhe jo në të pasurit pasuri materiale, kënaqësia tyre më e madhe në jetë është beteja.

Dhe së fundmi janë ata që jetën i’a dedikojnë kontemplimit dhe ideve, dijes dhe urtisë, të cilët nuk synojnë kurrëçfarë të mirash tjera, pos të mirës më të madhe, që është dije për hir të dijes. Vullneti i tyre është dritë e jo flakë, parajsa e të cilëve nuk është pushteti, por e vërteta.

Këta, konsideron Platoni, janë njerëzit e urtë që qëndrojnë larg syrit të publikut.

Platoni konsideron se pasi t’i kemi kuptuar këta tre elemente të pareduktueshme të natyrës njerëzore, ata duhet të harmonizohen me njëra tjetrën.

Dëshira, duhet të jetë e shoqëruar me emocion, dhe e udhëhequr nga dija. Kështu vijon hierarkia platonike e natyrës njerëzore.

Në një shtet ideal, forcat industriale (të nivelit të dëshirës) do të prodhonin, por jo të sundonin. Forcat ushtarake (të nivelit të emocionit, guximit) do të mbronin shtetin, por jo të sundonin. Kurse forcat e dijes, shkencës dhe filozofisë, do të ushqeheshin e të ruheshin nga dy nivelet më të ulëta, dhe do të sundonin.

Të paqeverisur nga dija, njerëzit janë turmë e paorganizuar, dhe dëshirat kaotike që rrymojnë mes njerëzish duhet të ndriçohen dhe qartësohen nga dija, pra, nga niveli më i lartë i natyrës njerëzore.

“Rrënojat vien kur tregtari, zemra e të cilit rrah vetëm për pasuri, bëhet sundimtar”.

Të qenit udhëheqës i një shteti, thotë Platoni, duhet të kesh zotësitë e shkathtësitë e këtij arti, dhe “njeriu duhet t’i ketë kushtuar tërë jetën asaj, dhe të jetë i përgatitur”.

Platoni konsideron se vetëm atëherë “kur filozofët të jenë mbretër, ose mbretërit e princërit të kësaj bote të kenë frymën dhe fuqinë e filozofisë, vetëm atëherë urtia dhe lidershipi politik do të puqen brenda shpirtit të të njëjtit njeri”.

Deri sa kjo s’arrihet, konsideron Platoni, raca njerëzore do të shkundet nga sëmundjet e saj politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore