Si ia futën kot Osmani e Haxhiu për “padinë për gjenocid në Strasburg”, juristët përqeshin presidenten e ministren
Deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Kosova me anëtarësimin në Këshillin e Evropës mund ta padisë Serbinë për gjenocid në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut po konsiderohen si të pabaza nga njohësit e çështjeve juridike.
Për ligjëruesin universitar, Mazllum Baraliu, Kosova mund ta padisë Serbinë për gjenocid në gjykatën kryesore të Kombeve të Bashkuara (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), e jo në Gjykatën Evropiane, meqë juridiksioni i saj ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe jo me krimet e luftës.
Osmani në deklarimin e saj pas nderimeve për të pagjeturit në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur tha se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të zhdukur do të kenë mundësinë për ta paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për Baraliun një formulim i tillë nuk është i saktë, meqë në vlerësimin e tij qytetarët mund t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut në kuadër të Këshillit të Evropës vetëm për çështje që kanë të bëjnë për të drejtat e njeriut.
“Qytetarët mund të drejtohen në Gjykatën e Strasburgut vetëm kur ju cenohen të drejtat e njeriut. Qytetarët kanë të drejtë që t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike të Gjykatës Evropiane pasi t’i kenë shterur të gjitha mekanizmat e brendshëm”, thotë ai për Albanian Post.
Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe juristi, Ardian Bajraktari.
Në vlerësimi e tij anëtarësimi në Këshillin e Evropës, nuk ka ndonjë lidhje me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.
Megjithatë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konsideroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapë rrugë për adresimin e krimeve të luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999, përfshirë edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë.
Sipas Bajraktarit padia për gjenocid bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe se pjesa dërmuese e kërkesave që i drejtohen Gjykatës Evropian për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Këshillit të Evropës, janë kërkesa individuale.
“Që të mund të dorëzohet një padi (në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë) dhe rrjedhimisht që gjykata të mund të lëshohej në shqyrtim të saj, ne kemi pengesa procedurale, ngase përveç se duhet me qenë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duhet me qenë edhe pjesë e statutit të kësaj gjykate”, thotë ai për Albanian Post.
Se Kosova në asnjë formë nuk mund ta padisë Serbinë për gjenocid në Gjykatën e Strasburgut e thotë edhe profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani.
“Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme, të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin e thjeshtë se nuk bien nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut. Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës”, thotë ai në një intervistë për Gazetën Express.
Në mënyrë të njëjtë, sipas Hasanit, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur.
“Kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur. Fjalë kyçe këtu është juridiksioni, në katër trajtat si më sipër (kohor, lëndor, personal dhe territorial). Kjo bëhet e qartë që në nenin e parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili flet për juridiksionin në të gjitha trajtat e manifestimit të tij”, shton ai.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nënkupton edhe anëtarësim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga e cila mund të përfitojë Kosova si shtet, por edhe qytetarët e saj.
Individët, grupet e individëve dhe organizatat joqeveritare, me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të kenë mundësi për të adresuar në Gjykatën e Strasburgut kërkesat e tyre për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve publike në Kosovë.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, të cilën e nënshkruan një vend pas anëtarësimit.
Për t’iu drejtuar Gjykatës, fillimisht një individ duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike ku një person, apo edhe vetë shteti, ka kryer shkelje, dhe i cili është pjesë e Këshillit të Evropës.
Në rastin e Kosovës do të thotë se fillimisht një palë duhet t’i drejtohet Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, asaj Supreme dhe Kushtetueses, dhe duhet të tregojë në hollësi si janë shkelur të drejtat e garantuara.
Përjashtim bëjnë rastet kur ndonjë palë mund të vërtetojë që nuk ka pasur mjet efektiv juridik dhe që, rrjedhimisht, i është dashur të kapërcejë ndonjë gjykatë në Kosovë.
Ndryshe në maj të këtij viti bëhen tri vjet prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikisht kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.
Përgatitja, në vlerësimin e Kurtit, po bëhej me hapa “gjigantë”, meqë për të “një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.
Se në këtë drejtim po punohet “intensivisht” kishte njoftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në prill të vitit 2022, Osmani, kishte potencuar se tashmë një ekip i përbërë nga profesionistë po përgatisin materialet të cilët duhet Kosova t’i ketë sa i përket padisë për gjenocid.
“Nuk është lojë kjo punë, sepse një rast i tillë do të ishte iniciativa më e rëndësishme e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”, deklaronte ajo.
Një hap përtej Kurtit e Osmanit kishte bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kur në maj të vitit 2023 kishte deklaruar se Kosova është “shumë afër” përfundimit të padisë “profesionale” për gjenocid ndaj Serbisë.
Kryekuvendari kishte potencuar se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë që kanë njohuri në këtë fushë dhe se në këtë drejtim është bërë një “punë e mirë deri tash”.
“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhur një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë. Mund të konstatoj që kjo është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash”, deklaronte ai.
Në ndërlidhje me iniciativën për padi për gjenocid ndaj Serbisë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti themeloi edhe Institutin për Krimet Lufte – me synim mbledhjen e materialeve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës, të cilat do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë këtij instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Por, ndryshe nga deklaratat plot optimizëm e premtuese të krerëve institucionalë Qeveria e Kosovës – kompetencë kjo ekskluzive e saj – nuk ka bërë asnjë hap konkret e të prekshëm në këtë drejtim, ndërsa padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk duket fare në horizont.
Andaj deklarata të tilla të pamatura të autoriteteve kosovare për njohësit e fushës së drejtësisë nuk mund të konsiderohen si asgjë tjetër përveç si “lojë politike” e fraza të cekta për nevoja elektorale.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, beson se tashmë është e qartë se artikulimet e tilla publike të ekzekutivit nuk janë asgjë tjetër përveç “deklarata politike për konsum të brendshëm dhe të parealizueshëm në praktik”.
Në vlerësimin e tij fraza të llojit të cilat janë vështirë të realizueshëm në terren mund të cilësohen edhe si “premtime fiktive” të cilave mund t’i besojnë qytetarët laikë, por assesi ekspertët e kësaj fushe.
“IKD kishte kërkuar nga Qeveria që përmes kësaj qasje të mos ngjall shpresa të rrejshme me theks të veçantë te familjarët e viktimave të krimeve të luftës në Kosovë, pasi mos realizimi në praktikë padyshim se kthehet në zhgënjim te të njëjtit”, thotë Miftaraj për Albanian Post.
Duke theksuar pamohueshmërinë e faktit se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, krime të tmerrshme dhe sistematike ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Miftaraj thekson se padia për gjenocid ndaj Serbisë – siç ka premtuar Qeveria – është e pamundur marrë për bazë pozicionin politik në të cilën gjendet Kosova aktualisht në arenën ndërkombëtare.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të ushtrojë një të drejtë të tillë do të duhej të ishte pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nënshkruese e Statutit të GJND-së, që në rastin konkret kjo tani për tani fatkeqësisht nuk ekziston”, argumenton ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë