Shqipëria

Shtyhet seanca e gjyqit Berisha-Veliaj, avokatët nuk ranë dakord për t’u pajtuar


Seanca e zhvilluar këtë të premte të 19 majit për gjyqin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka përfunduar.

Avokatët e të dy palëve nuk kanë rënë dakord për t’u pajtuar me njëra-tjetrën dhe seanca është shtyrë.

Kurse seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor në orën 13:30.

Më herët, Veliaj ka thënë se Berisha më 19 maj do të sillet me forcë nga Policia në seancën gjyqësore të iniciuar nga padia e kryebashkiakut.

Ai mori pjesë në seancën e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) pas padisë së ngritur ndaj Berishës për akuzat e tij, të cilat i ka cilësuar si shpifje.

Sipas Veliajt, akuzat janë të padenja dhe Berisha ka përdorur prezencën e “vet për të shkatërruar normat dhe vlerat”.

“Edhe pse në fushatë, 1 orë e kam për t’u përballur me Berishën. Ai duhet të vijë në sallë të gjyqit”.

Seanca e mbajtur më 8 maj ishte në lidhje me akuzat e Berishës kundrejt Veliajt sa i takon “influencës iraniane”.

Ish-kryeministri ka deklaruar se “Veliaj ka bërë udhëtime sekrete në Iran dhe se janë shqetësuar vendet partnere”.

Jo vetëm kaq, por ai e akuzuar kryebashkiakun se “po fut para iraniane” në vend.

Veliaj i ka konsideruar këto akuza si të pavërteta dhe e ka paditur Berishën me akuzën për shpifje.

Berisha nuk mori pjesë në seancë dhe për këtë arsye gjyqtari vendosi mbajtjen më 19 maj me praninë e detyrueshme të tij.

Akuzat e Berishës

Berisha në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për sa i përket inceneratorit të Tiranës.

“Të dhëna të qarta lidhin djegësin e Tiranës, Erion Veliajn me Bruno Presecin dhe Ali Aliabadin, ish-komandantin e Pasdaran, tani sipërmarrës i madh në Iran, nën sanksione ekonomike të BE dhe SHBA. Unë e kam denoncuar këtë lidhje me Iranin të Erion Veliajt, siç jeni ju dëshmitarë. Erion Veliaj nuk ka guxuar kurrë të përgënjeshtrojë qoftë edhe njëherë të vetme, denoncimin e kësaj lidhje të rrezikshme për Shqipërinë. Lidhja e Erion Veliajt me Teheranin nuk është e re. Daton 15-20 vjet më para”.

Sipas tij, rezulton se pronar kryesor në dokumente i kompanisë së inceneratorit të Tiranës është Bruno Preseci, “i cili në fakt ka për ortak një kompani që thuhet se është po e tij. Italiani që u hetua këtu, Gabriele, u arrestua, u dënua dy vite duke i thënë se dënohesh pa faj”.

“Mafia funksionon si organizatë me rregulla shumë të veçanta. Miliadi me Ersin kishin një shtëpi bari gjigante dhe janë të gjithë dokumentet për këtë, për shtëpinë e barit. Të gjitha këto u mbyllën duke përzënë Gabrielen nga Shqipëria. Por Gabrieli di shumë. Pra, Erion Veliaj merr në kundërshtim flagrant me kontratën, me 29 euro një ton pleh, taton qytetarët e Tiranës, në një kohë kur kjo tarifë është për djegien e tyre. Paratë i ndan me Bruno Presecin dhe iranianët”.

Për sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama se po mendojnë  një dalje nga juridiksioni i arbitrazhit, Berisha theksoi se kërkon të dënojë shqiptarët, pasi janë një seri procesesh që shkojnë 600 milionë euro.

“Arbitrazhi ndërkombëtar është në ombrellën e Bankës Botërore rrjedhimisht të kombeve të Bashkuara. Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët. Vendet anëtare të Bankës Botërore dhe OKB-së. Edi Rama kërkon që të ndëshkojë Shqipërinë, tani jo vetëm 110 mln euro por në shumëfishin e saj. U them shqiptarëve se po në këtë arbitrazh dhe arbitrazhe të tjera janë një seri procesesh të cilat shkojnë më së paku te 600 mln euro. 300 mln euro shkon vetëm arbitrazhi për licencën e naftës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore