Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 eurosh në fundvit për fëmijët dhe pensionistët, ku ka thënë se për t’i rregulluar këto çështje në afatgjatë kanë dhënë propozime, porse të njëjtat nuk ishin marrë parasysh nga pushteti.
“Me kohë u kemi thënë, qysh në vitin 2022 kur inflacioni ishte në kulm, se: (1) duhet të indeksohen pensionet dhe asistenca sociale për t’i mbrojtur familjet nga rënia e fuqisë blerëse dhe thellimi i varfërisë; dhe (2) duhet të ulet TVSH-ja nga 18% në 8% për plot mallra shtesë që janë elementare për konsumin e familjes”, shkroi Hoti në Facebook.
Sipas ish-kryeministrit, pushteti nuk i ka marrë parasysh këto propozime, “vetëm sepse erdhën nga opozita”.
“Si rezultat, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38% në vitin 2021”, shtoi.
Tani, thekson deputeti i LDK-së duke iu referuar pushtetit, shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, “që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë”.
Problemi në afat të gjatë, në vlerësimin e tij, do ishte zbutur “nëse do të indeksoheshin me kohë pensionet dhe asistenca sociale për normën e inflacionit”.
Ndryshe, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, e mbajtur këtë të mërkurë, është miratuar ndarja e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se ky vendim vlen për të gjithë fëmijët.
“Ky vendim vlen për të gjithë fëmijët që e marrin shtesat e fëmijëve në kuadër të skenës ekzistuese, sipas muajit dhjetor të këtij viti”.
“Ky është vendimi i cili miraton shtesën, sa i përket ekzekutimit pas përgatitjeve teknike do të bëhet shpërndarja e mjeteve. Mjetet do të kalojnë në llogarinë e prindërve dhe s’do të ketë nevojë për aplikim”, ka thënë Murati.
Një vendim i ngjashëm është miratuar edhe për pensionistët.
“Për të gjithë përfituesit e skemës pensionale do të kenë mbështetje nga 100 euro. Marrë parasysh që pensionet ekzekutohen këtë të premte s’do të kemi mundësi ta ekzekutojmë edhe këtë shumë, por gjatë ditëve në vijim do të bëhet ekzekutimi i tyre”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë