Art&dizajn

Shtëpitë më mahnitëse të operës në botë


Opera, që nga fillesa në Italinë e fundit të shekullit të XVI-të, është parë si një nga disiplinat më prestigjioze në traditën muzikore perëndimore.

Për të shkuar përkrah me popullaritetin e vazhdueshëm, arkitektët kanë kërkuar të projektojnë shtëpi operash që mund të evokojnë madhështinë e artit.

Po ashtu duke përmbushur edhe nevojat komplekse teknike dhe akustike.

Palais Garnier, Paris

Ishte koha kur Charles Garnier, një arkitekt i panjohur 35-vjeçar, fitoi konkursin për të projektuar shtëpinë e re të operës së Parisit në vitin 1858.

Dizajni i tij ambicioz u ndërtua me një eklekticizëm ekstravagant dhe pa pengesa që lulëzoi nën Perandorin Napoleon III.

Frymëzuar nga katedralet baroke, tempujt grekë dhe vilat e Rilindjes, ai prezantoi gjithashtu teknologji radikale moderne si çeliku dhe qelqi.

Kur u pyet se çfarë stili ishte ndërtesa e tij, Garnier u përgjigj me shpejtësi se ishte “stili i Napoleonit të III-të”, duke shpikur një epokë të tërë arkitekturore.

Gjatë gërmimeve, ndërtuesit panë një nivel të papritur të lartë të ujërave nëntokësore, i cili kërcënonte të kufizonte ndërtimin.

Kështu Garnier improvizoi një zgjidhje të shkëlqyer, duke krijuar një themel me dy shtresa dhe duke mbajtur ujërat nëntokësore si një rezervuar për t’u përdorur në rast zjarri.

Teatro Colón, Buenos Aires

Është shtëpia kryesore e operës në Amerikën e Jugut, është simbolike e Argjentinës së fillimshekullit, kur vendi po lulëzon dhe valët e emigrantëve evropianë, veçanërisht nga Italia dhe Spanja, zbritën në Buenos Aires.

Teatri i ri duhej të merrte parasysh shijet e këtyre argjentinasve të rinj, duke forcuar normat kulturore evropiane në vend.

Arkitektët ishin vetë emigrantë evropianë dhe ndërtesa që ata projektuan ishte një lloj përmbledhje estetike e historisë evropiane, me stile italiane, gjermane dhe franceze.

Ajo u hap në vitin 1908.

Shtëpia e Operës së Sydney-t

Është një nga ato ndërtesa të rralla moderne që duket sikur ka pasur gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë ikonë.

Ndërtimi i saj ishte i rrethuar nga probleme, duke përfshirë tejkalimin e kostove, një grevë të punëtorëve, ndryshime të shpeshta të projektimit dhe dorëheqjen eventuale të arkitektit të saj, Jørn Utzon.

Teatri u hap zyrtarisht në vitin 1973, por shumë shfaqje jozyrtare u zhvilluan atje më herët.

Paul Robeson, bariton dhe aktivist, në përgjithësi vlerësohet si personi i parë që performoi në të. Në vitin 1960, ai u ngjit në skela dhe u këndoi punëtorëve të ndërtimit “Ol’ Man River” teksa ata drekonin.

Në vitin 2003, Utzon u shpërblye me Çmimin prestigjioz të Arkitekturës Pritzker.

Kur Shtëpia e Operës së Sydney-t u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2007, Utzon u bë personi i dytë që mori një njohje të tillë për një nga veprat e tij gjatë jetës së tij.

I pari ishte Oscar Niemeyer, arkitekti i kryeqytetit brazilian Brasília.

Teatro alla Scala, Milano

Gjatë epokës së artë të operës, Teatro alla Scala ishte vendi i zgjedhur për premierat nga Rossini, Verdi dhe Puccini.

Po ashtu vuri në skenë premiera botërore të kompozitorit-provokator Karlheinz Stockhausen në vitet 1980.

Është veçanërisht e njohur për lozhën. Personat që rrinë atje janë ndoshta fansat më të dalluar dhe jo të pakuptimtë të operës në botë.

Metropolitane Opera House, New York City

Shtëpia më prestigjioze e operës në Amerikën e Veriut u themelua në vitin 1883 dhe u zhvendos në vendndodhjen e saj të tanishme në vitin 1966.

Arkitekti Wallace K Harrison e zhvendosi projektin fillestar të rënduar me një dizajn minimalist.

Brenda, rezultatet ishin më mbresëlënëse, me skena rrotulluese, pesë kate nëntokësore dhe dy murale gjigante të Marc Chagall që tani vlerësohen në 20 milionë dollarë.

Palau de les Arts Reina Sofía, Valencia

Palau de les Arts Reina Sofía ngrihet mbi një pellg uji në një lartësi prej 75 metrash, duke e bërë atë teatrin më të lartë të operës në botë.

Brendësia mbështet katër ambiente për operën, muzikën, baletin dhe teatrin, secila e lidhur nga një mori vendkalimesh të përqendruara rreth një kopshti të gjelbëruar mesdhetar.

Ky futurizëm me diell, i teknologjisë së lartë ka të bëjë më pak me adhurimin e së kaluarës sesa me lajmërimin e së ardhmes, duke lëvizur shtëpitë e operës përtej reputacionit të tyre si ndërtesa të rralla dhe të mbytura.

Ajo që duket e papajtueshme përfundon në një akord harmonik.

Shtëpia e Operës Mbretërore, Londër

Gjatë Luftës së Parë Botërore ajo u përdor për të ruajtur mobilje, ndërsa Lufta e Dytë Botërore e pa atë të transformuar në një sallë vallëzimi në Mekë.

Mund të kishte mbetur lehtësisht kështu nëse nuk do të ishte blerë nga Boosey & Hawkes, të cilët vendosën të mblidhnin një ekip ekspertësh dhe adhuruesish për të formuar kompaninë The Royal Opera në viyin 1946.

Maria Callas, Luciano Pavarotti dhe Plácido Domingo janë vetëm disa nga emrat e shquar që kanë zbukuruar skenën e saj, ndërsa opera gjithashtu mund të marrë meritën për edukimin e shumë yjeve të ardhshëm.

Teatro Amazonas, Manaus

Teatro Amazonas është ndoshta shtëpia e operës më surreale në botë, një ëndërr e ethshme e baronëve të shekullit të XIX-të që donin të sillnin Belle Epoque në Amazon.

Materialet ishin të gjitha të importuara nga Evropa, siç ishte arkitekti, Celestial Sacardim, i cili sajoi një përzierje të stileve barok, të rilindjes dhe neoklasike, në krye nga një kube e madhe e mbuluar me mozaikë që duket sikur ishte shkulur nga një Xhami persiane e shekullit të XVI-të.

Teatri u inaugurua në vitin 1897 me një produksion të La Giocondo me protagonist Enrico Caruso.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore