Shqiptarët në Luginë të vendosur, vazhdojnë kundërshtimin e politikave diskriminuese të Serbisë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkundër kërcënimeve dhe diskriminimit sistematik të autoriteteve serbe, nuk do të ndalen për t’i kërkuar të drejtat e tyre me çdo çmim, por për këtë kanë kërkuar mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria.
Më 12 gusht, shqiptarët në Luginë të Preshevës organizuan një protestë gjithëpopullore në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet.
Por, menjëherë pas kësaj proteste, ku u kundërshtua diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe kërkuan të drejtat e tyre – që në shikim të parë dukeshin bazike për një vend normal, pas dy dite në Bujanoc u panë grafite në gjuhën serbe me mesazhe raciste e kërcënuese, si “vdekje shqiptarëve”, e të ngjashme.
Për ish-Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Ragmi Mustafi, këto nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një qasjeje të vazhdueshme dhe sistematike të urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Kjo fushatë nuk vjen vetëm nga individë, por është inkurajuar në mënyrë të hapur nga përfaqësues të niveleve të ndryshme të pushtetit, duke përfshirë zyrtarë të lartë qeveritarë”, ka thënë Mustafi në një prononcim për Albanian Post.
Për fat të keq, ai thekson se kjo është një reflektim i klimës së tensionuar dhe të rrezikshme që është kultivuar nga retorika politike dhe veprimet e autoriteteve serbe, “të cilët në vend që të promovojnë bashkëjetesën dhe paqen, kanë ndihmuar në ndezjen e tensioneve ndëretnike”.
Grafitet ku bëhej thirrje për “vdekje të shqiptarëve” u vendosen edhe në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, më konkretisht në hyrje të repartit të fëmijëve.
Prandaj, Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), Shqiprim Musliu, ka thënë se kushdo që i ka bërë këto mesazhe duhet të mbajë përgjegjësi, ndonëse asnjë reagim nuk ka pasur nga autoritetet serbe për t’i dënuar këto mesazhe fashiste.
“Nuk kemi asnjë të arrestuar për këtë dhe kjo po e shton dozën e dyshimit sepse pikërisht këto ditë u arrestua një qytetar shqiptar nga Bujanoci vetëm për një koment në Facebook”, pohon ai në një prononcim për AP.
Politikani shqiptar nga Lugina bën me dije se për atë rast Prokuroria serbe ka shqiptuar masën e paraburgimit për një muaj, ndërsa thotë se nuk ka vullnet të gjejë pikërisht autorët e këtyre provokimeve “që mund të çojnë në konflikte ndëretnike”.
“Në rrjete sociale të portaleve serbe ka me qindra komente duke kërkuar arrestim e çfarëdo tjetër, pikërisht ndaj meje për shkak të reagimit tim ndaj këtij rasti”, shtoi Musliu.
Cili është mesazhi i këtyre grafiteve?
Për Mustafin nuk ka asnjë dyshim se grafitet anti-shqiptare janë një përpjekje për të frikësuar dhe përçuar mesazh të qartë të urrejtjes dhe përjashtimit.
“Mesazhi është i drejtuar jo vetëm ndaj komunitetit shqiptar në Bujanoc, por edhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë një shoqëri të barabartë dhe paqësore. Ky është mesazh që synon të krijojë frikë dhe të demoralizojë përpjekjet për një bashkëjetesë dinjitoze me barazi e drejtësi”, thekson ai.
Ngjashëm si Mustafi mendon edhe Musliu. Tërë këtë nxitje të urretjes kundër shqiptarëve është duke e bërë niveli qendror, pra vet shteti serb.
“Ashtu siç e kemi theksuar çdoherë, do e themi përsëri, ne jemi autokton në këtë vend, dhe Bujanoci si një qytet multietnik që jetojnë e punojnë bashkë shqiptarët, serbët e romët, asnjëherë nuk ka pasur konflikte ndëretnike mes qytetarëve, por problemi qëndron historikisht mes Beogradit zyrtar dhe shqiptarëve”, potencon ai për AP.
A do vazhdojë rezistenca e shqiptarëve dhe si?
Reagimi ndaj këtyre grafiteve dhe shtypjes sistematike të Serbisë ndaj shqiptarëve do të jetë i vendosur dhe shumëplanësh, bënë me dije Mustafi.
“Së pari, kemi kërkuar që autoritetet e rendit të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtyre akteve. Por, përtej kësaj, do të ngremë zërin tonë në arenën ndërkombëtare, duke i bërë të qarta këto akte të urrejtjes dhe diskriminimit që vazhdojnë të ndodhin në mënyrë të përsëritur”, pohon ai.
“Nuk do të lejojmë”, thotë me vendosmëri këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, “që këto incidente të kalojnë pa ndëshkim apo pa u bërë publike”, sepse, thekson ai, “demokracia matet me nivelin e respektimit te pakicës”.
Ish-kreu i KKSH-së tregon se do të shqyrtojnë çdo mundësi për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të siguruar që zëri i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës të dëgjohet dhe të respektohet, derisa nuk përjashton organizmin e protestave të tjera, por edhe paralajmëron veprime të tjera.
“Përveç protestave, do të shohim edhe mundësitë për veprime të tjera, si angazhime tjera dhe kërkesa për mbikëqyrje dhe ndërhyrje nga organizatat ndërkombëtare për të garantuar që të drejtat e shqiptarëve në Serbi të mbrohen e deri tek padëgjueshmëria qytetare”.
Se nuk do të ndalen për të kërkuar të drejtat e tyre e thotë edhe Musliu, derisa protestën e organizuar në fillim të gushtit e konsideron veç fillimi i reagimit edhe në këtë formë demokratike.
“Kemi hyrë në dekadën e tretë që pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e cila u bë një shkëndijë për të arritur aspiratat kombëtare në truallin tonë autokton, mirëpo përgjatë dy dekadave përveç takimeve zyrtare e premtimeve në letër, nuk kemi asnjë lëvizje në drejtim të respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare shqiptare”, tregon ai.
Duke qenë se kërkesat e tyre përgjatë viteve janë diskutuar, por nuk janë trajtuar, Musliu thekson se kjo po e krijojnë një situatë ku po i vështirësohet ekzistenca shqiptarëve në Luginë.
Prandaj, potencon se protesta ishte një formë e rezistencës, “për t’i thënë mjaftë heshtjes si ndaj shtetit por edhe t’i dhënë mesazh ndërkombëtarëve se jemi këtu duke u sfiduar çdo ditë”.
“Ne do të vazhdojmë rezistencën tonë, me vullnetin dhe aspiratën kombëtare, duke respektuar vullnetin e popullit të shprehur në referendumin e ’92-së, të drejtat e fituara me luftën e UÇPMB-së të shprehur në marrëveshjen e Konçulit, marrëveshjeve e platformave politike të 2001, 2006, 2009, 2013, të cilat i përcaktojnë qëllimet e avancimit të popullit shqiptar në Luginë”.
Ai njofton se veprimi i tyre do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, “por edhe me dy qeveritë e shteteve tona amë, si Kosovës dhe Shqipërisë”, me të cilat pohon se “duhet të bashkëveprojmë për të arritur të drejtat politike e sociale e për të vazhduar integrimin jo vetëm në nivel shtetëror, por edhe në Bashkimin Evropian”.
“Situata çdo ditë e më shumë po bëhet më e vështirë, prandaj është i domosdoshëm angazhimi i Shtetit Shqiptar në këtë drejtim pasi që e ka obligim kushtetues të mbrojë të drejtat e popullit shqiptar jashtë kufijve administrativë, nëse duam të mbrojmë të ardhmen e kombit tonë”.
“Kjo pikërisht i përshtatet parimit të reciprocitetit, ku me një qasje të tillë sikur Serbia që kujdeset ndaj popullit të vet në Republikën e Kosovës, duke i dhënë mbështetje në të gjitha format institucionale, duke shtrirë sistemin e shërbimeve sociale, shëndetësore, arsimore e politike, vetëm e vetëm për të mbrojtur popullin e vet në çdo formë”.
E nëse Shqipëria dhe Kosova do ta bënin një reciprocitet të tillë me shqiptarët e Luginës, Musliu vlerëson se gjendja do të ishte më e mirë.
“E sot ndoshta nuk do të flisnim për këto tema, por si qytetarë evropian, për zhvillim, teknologji e përparim”, shtoi.
Ndërsa, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të hënën, ka njoftuar se ka nisur një letër në adresën e ambasadave të huaja në Beograd, ku ka kërkuar të dënohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, që nxitet nga disa zyrtarë qeveritarë, pas shfaqjes së grafiteve në Bujanoc.
Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61,000 qytetarë. Shumica e tyre janë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë dhe Bujanoc.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë