Ministrat shqiptarë dhe ata boshnjakë në Qeverinë e Malit të Zi janë larguar nga seanca e ekzekutivit malazez për shkak të propozimit për të ndërtuar ngritjen e një monumenti të ndjerit Mitropoliti Amfilohi, ish-Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Serbe dhe Mitropolit i Malit të Zi dhe Bregdetit nga viti 1990 deri në vdekjen e tij në vitin 2020.
Këtë e kanë konfirmuar për mediumin malazez “Vijesti”, dy pjesëmarrës të seancës të së enjtes, të cilët janë larguar.
Njëri ka thënë se e kanë bërë për “propozimin e paligjshëm të Ministrisë së Kulturës për monumentin e Amfilohit”.
Ish-Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka qenë i njohur për diskursin e tij nacionalist dhe përkrahjen e ideve serbe për Ballkanin. Ai kishte kundërshtuar edhe shkëputjen e Malit të Zi (2006), por edhe politikat distancuese të Podgoricës që u zhvilluan pastaj në raport me Beogradin.
Propozimi në qeverinë malazeze për ngritjen e memorialit të ish-Mitropolitit është dorëzuar nga Ministrja e Kulturës dhe Mediave, Tamara Vujoviç.
Seanca e qeverisë është udhëhequr nga zëvendëskryeministri që vjen nga radhët e demokratëve, Aleksa Beçiç, pasi që kryeministri Milojko Spajiç, ndodhet në Bruksel, ku do të marrë pjesë, së bashku me liderët e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një drekë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Amfilohi ka qenë i njohur për retorikën e tij nacionaliste, duke përfaqësuar kështu politikën fashiste të Serbisë, madje ai shpesh përfshihej në debate publike dhe ishte një mbështetës i flaktë i gjoja identitetit ortodoks në Ballkan.
Ai kishte kritikuar qeverinë malazeze për orientimin e saj pro-perëndimor dhe përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO, duke mbështetur një orientim pro-rus dhe pro-serb.
Amfilohi ka qenë edhe kundër pavarësisë së Kosovës, derisa kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë ai e kishte kundërshtuar ashpër.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com