Shqipëria

Shqipëria “jashtë standardeve” për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore


Raporti i publikuar të enjten nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi Trafikun e Qenieve Njerëzore për vitin 2023 ka zbuluar se qeveria e Shqipërisë nuk përmbushi plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.

Në raport janë përfshirë vlerësimet për rreth 190 vende të botës, përfshirë Kosovën e cila renditet së bashku me Shqipërinë në nivelin e dytë.

Raporti i ndan vendet në tre nivele.

Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale të kërkuara.

Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë.

Ndërsa, në nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë.

Edhe pse Shqipëria, nuk i përmbushi standardet minimale për të eliminuar trafikimin e qenieve njerëzore po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë, sipas raportit.

“Qeveria demonstroi një rritje të përpjekjeve të përgjithshme krahasuar me një vit më herët, duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm të pandemisë COVID-19, në kapacitetet e saj kundër trafikimit”, vijon ai.

Për këtë arsye Shqipëria vazhdoi të mbetet në nivelin e dytë.

Mes përpjekjeve ishte hetimi i më shumë trafikantëve të dyshuar dhe miratimi i procedurave të reja.

Këto, për të identifikuar viktimat e trafikimit në flukset e parregullta të migracionit.

DASH-i përmend krijimin e katër qendrave që ofrojnë mbështetje psiko-sociale, ndihmë ligjore dhe ndihmë familjare, si edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë për të zgjeruar ndihmën ligjore për viktimat.

“Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. Qeveria nuk dënoi asnjë trafikant dhe identifikoi më pak viktima. Qeveria vazhdoi të zbatonte në mënyrë jo-konsistente procedurat e kontrollit për popullatat e cenueshme – veçanërisht migrantët, azilkërkuesit, komunitetet rome dhe ballkano-egjiptiane dhe fëmijët – dhe njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave vazhduan të kishin fonde dhe personel të pamjaftueshëm”, thuhet në raport.

Po ashtu qeverisë i munguan burimet për përpjekjet për ri-integrimin e viktimave, organet koordinuese kundër trafikimit nuk mbajtën takime dhe linja telefonike e vënë në dispozicion nga qeveria, vazhdoi të mos funksiononte.

DASH: Shqipëria nuk përmbush standardet për eliminimin e trafikimit, por përpiqet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore