Shqipëria

Shqipëria i bashkohet mekanizmit për kompensimin e dëmeve në Ukrainë


Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë miratoi të hënën e 11 shtatorit projektligjin që anëtarëson vendin tonë në mekanizmin për kompensimin e dëmeve në Ukrainë nga agresioni rus.

Në drejtimin e zëvendës kryetarit, Blendi Klosi, komisioni mori në shqyrtim Projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar (EPA) për themelimin e regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin zëvendës ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo dhe Shpresa Shahaj, drejtore e të Drejtës Ndërkombëtare.

Malo deklaroi para komisionit se aderimi i Shqipërisë ka për qëllim përmbushjen e një prej detyrave themelore lidhur me agresionin rus në Ukrainë.

“Ky fakt vjen edhe si detyrim i rolit të Shqipërisë në mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria ka mbështetur politikisht vendimmarrjen e Këshillit të Evropës për krijimin e regjistrit. Regjistri do shërbejë për të dokumentuar dëmet, humbjet ose dëmet e shkaktuara ndaj personave fizik dhe juridik në Ukrainë”, theksoi zyrtarja shqiptare.

Nga ana tjetër, relatori i çështjes, Petro Koçi, u shpreh se Këshilli i Evropës ka mbajtur një rol shumë aktiv kundër agresionit rus në Ukrainë, ndërsa nënvizoi se krijimi i një regjistri do të shërbejë për regjistrimin e dëmeve.

“Rusia duhet të paguajë për atë që po bën. Është nder për Shqipërinë që është pjesë e këtij mekanizmi, jemi ndër vendet e para që kemi kërkuar respektimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe në çdo institucion ndërkombëtar ku është shqyrtuar çështja e agresionit, Shqipëria ka pasur një rol aktiv”, vërejti përfaqësuesi socialist.

Çfarë është ky regjistër?

Regjistri, i cili do të synojë të regjistrojë provat dhe informacionin e pretendimeve për dëmet, humbjet ose dëmtimet e shkaktuara individëve, subjekteve dhe shtetit ukrainas, është menduar si komponenti i parë i një mekanizmi të ardhshëm kompensimi.

Udhëheqësit e 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës vendosën në muajin maj që të krijojnë një regjistër të dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë.

Vendimi, i marrë gjatë një samiti në kryeqytetin islandez, Reykjavík, pas një samiti të jashtëzakonshëm dy-ditor, përbënte një hap të parë drejt një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi.

Kishte një konsensus midis 46 vendeve që përbëjnë organizatën e të drejtave të njeriut që Moska duhet të kompensojë viktimat në Ukrainë dhe të ndihmojë në rindërtimin e kombit pasi të përfundojë konflikti.

Regjistri do të bazohet në qytetin holandez të Hagës dhe mund të përfshijë një komision për dëmshpërblime dhe fond kompensimi dhe do të shërbejë si një provë rekord dhe informacion mbi dëmet, humbjet ose dëmtimet e shkaktuara individëve dhe shtetit ukrainas që nga viti fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.

Pyetja se si do të paguhen dëmet ndaj Ukrainës dhe si mund të sillen para drejtësisë përgjegjësit, u trajtua edhe në samitin ku kryeministri ukrainas Denys Shmyhal bëri disa sugjerime.

“Vendimi i sotëm për krijimin e këtij regjistri është pa dyshim historik. Pas kësaj, ne duhet të përgatisim kuadrin e nevojshëm ligjor për konfiskimin e pasurive ruse dhe të krijojmë një fond kompensimi. Pra, një qasje gjithëpërfshirëse përfshin krijimin e gjykatës ndërkombëtare”, deklaronte Shmyhal.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriç, tha se organi synon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të krijuar një organ gjyqësor për të ndjekur penalisht krimin e agresionit – aktin e mirëfilltë të pushtimit të një vendi tjetër.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Kanadaja gjithashtu i janë bashkuar përpjekjeve dhe marrin pjesë në Këshillin e Evropës si shtete vëzhguese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore