Shqipëria

Shqipëri – blegtoria në rënie, bujqësia dhe peshkimi shënojnë rritje


Bujqësia dhe peshkimi janë zhvilluar ndjeshëm përgjatë vitit 2020 në Shqipëri, duke shënuar shifra të larta, krahasuar me ato të vitit të shkuar.

Sa i përket sektorit të blegtorisë, përgjatë të njëjtës periudhë, vihet re një rënie në numrin e krerëve.

Këto janë të dhënat e publikuara në muajin shtator 2021, në raportin e Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT).

Sakaq, prodhimi i perimeve u rrit me 3%, krahasuar me prodhimin në vitin 2019, konkretisht në kategorinë drithëra buke me 2,7 %, bimët industriale 3,9 % dhe prodhimi i bimëve aromatike, mjekësore dhe erëzave të gatimit me 11,5 %.

Ndërsa, prodhimi në serra është rritur me 5,2 %, krahasuar me po të njëjtën periudhë, i cili zë 21,8 % të prodhimit të perimeve.

Sipërfaqja e drufrutorëve është rritur po ashtu.

Shifrat nga raporti i INSTAT tregojnë se, krahasuar me vitin 2019, sipërfaqja e drufrutorëve është rritur me 2.5% në vitin 2020.

Prodhimi i ullirit ka një rritje të konsiderueshme prej 34,2 %, nga raporti i INSTAT, duke u renditur i pari lloj peme për prodhimtari.

Ulliri pasohet nga agrumet, prodhimi i të cilëve arrin në 4.9%, dhe nga prodhimi i rrushit, i cili shënon shifrën 4.8%.

Qarku i Fierit zë përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve, konkretisht 39%.

Blegtoria

Sektori, që ka pësuar rënie gjatë 2020-s, është ai i blegtorisë. Raporti i INSTAT tregon se ka pasur një tendencë në rënie të numrit të krerëve të blegtorisë.

Konkretisht, statistikat tregojnë se rënie ka pësuar numri i gjedhëve me rreth 12,8 %, numri i të leshtave me 11,4 % dhe numri i të dhirtave me 10,3 %.

Vëmendje të veçantë ka marrë dhe mbarështimi i bletëve, që ka sjellë dhe zgjerim të aktivitetit të fermerëve në disa zona të vendit.

Krahasuar me vitin 2019, prodhimi i mjaltit është rritur me 11,7 %.  Ky sektor ka shënuar rritje me 24 % të numrit të koshereve krahasuar me një vit më parë.

Rënie ka pësuar dhe prodhimi i vezëve, i cili shënon shifrën 0.4% më pak se në vitin 2019, si dhe prodhimi i mishit peshë e gjallë, e cila ka pësuar rënie me rreth 4,0 %.

Peshkimi

Zënia e peshkut, nga shifrat e publikuara në raportin e INSTAT, ka pësuar një rritje në terma vjetorë me rreth 12,5 %, konkretisht nga 16 mijë e 892 tonë nga 15 mijë e 11 tonë që ishte në vitin 2019.

Si një sektor me perspektivë, akuakultura ka shënuar rritje me ritme të shpejta.

Në rezervate dhe vaska të ndryshme të specializuara, gjatë 2020-s, u kultivuan rreth 8 mijë e 799 ton peshk. Pra, rreth 68,3 % më shumë se viti 2019.

Peshkimi, sipas shpjegimit të INSTAT, përfshin të gjitha të dhënat e aktivitetit të flotës dhe kapacitetin prodhues të sipërfaqeve të ndryshme të peshkimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore