Lajme

Shpyllëzimi në Amazon po ndalet, shkatërrimi i pyjeve ulet me dy të tretat


Shpyllëzimi në Amazonë në korrik ra në nivelin më të ulët mujor që nga viti 2017, sipas të dhënave nga autoritetet braziliane, raporton agjencia Reuters.

Imazhet satelitore nga agjencia braziliane e kërkimeve hapësinore INPE tregojnë se 500 kilometra katrorë pyje shiu u pastruan në korrik, që është 66 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave paraprake të INPE-s, në shtatë muajt e parë të vitit, shpyllëzimi ra kumulativisht me 42,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rëniet e njëpasnjëshme në qershor dhe korrik janë veçanërisht premtuese, sepse shpyllëzimi më i lartë është regjistruar më parë në ata muaj, pasi është një periudhë më e thatë.

“Ne po shohim një ndryshim në kurbën e rritjes së shpyllëzimit”, u tha gazetarëve në Brasilia Sekretari i Ministrisë së Mjedisit Joao Paulo Capobianco.

Këto të dhëna vijnë përpara takimit të presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva me liderët e vendeve të Amazonës në një takim në Brazilin verior, me temën e mbrojtjes së pyjeve më të mëdha të shiut në botë.

Lula tha se në takim do të tentohet për herë të parë të bihet dakord për një qasje të përbashkët për mbrojtjen e rajonit, e cila do të përfshijë çështje të sigurisë kufitare dhe një kërkesë që kompanitë private të jenë pjesë e ripyllëzimit të 30 milionë hektarëve.

Presidenti i krahut të majtë rimori udhëheqjen e Brazilit në janar me premtime për t’i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, pas një përshpejtimi të shpyllëzimit nën presidentin e mëparshëm Jair Bolsonaro, i cili hoqi rregulloret mjedisore, raporton Reuters.

Ekspertët përshëndetën ngadalësimin e shpyllëzimit nën qeverinë e Lula-s, por gjithashtu kërkuan kujdes të mëtejshëm në muajt e ardhshëm, kur është stina e zjarreve më të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore