Shqipëria

Shpëtoi nga zjarri, si duket Parku Arkeologjik i Finiqit?


Parku Arkeologjik i Finiqit i ka shpëtuar një zjarri masiv të rënë në kodrat e bashkisë jugore të vendit, pas ndërhyrjes së shpejtë nga Forcat e Armatosura dhe organet e tjera kompetente.

Ndërsa beteja me flakët vijoi për orë të tëra në kodrat e Finiqit dhe Delvinës, Parku mrekullisht i shpëtoi zjarrit dhe mbeti i paprekur.

Kjo u bë me dije nga deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, si edhe atij të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe.

Pikërisht ky i fundit, ka radhitur edhe një sërë artefaktesh, të cilat kanë shpëtuar nga flakët, duke shpërndarë edhe pamjet.

Sipas reagimit të Gonxhes, zjarret kishin filluar në veri-perëndim të Parkut Arkeologjik, pranë rrugës që hyn në territorin e fshatit Finiq, rruga që vjen nga fshati Blerimas.

Në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si dhe banesa të banorëve. Më pas zjarri u përhap në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje.

Më pas, për shkak të erës në atë zonë, drejtimi i zjarrit shkoi në drejtimin veri-lindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik, në drejtimin verior. Më pas zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të çon në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria.

Megjithatë, sipas inspektimeve të kryera, rezulton se:

Asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.

Monumentet e paprekura janë:

1- Zona publike e periudhës romake;

2- Teatri Antik;

3- Banesa me 2 peristile;

4- Termat Romake;

5- Muri fortifikues, ose i quajtur ndryshe “Dafina e Ugolinit”

6- Kisha Mesjetare;

7- Bastioni i madh

8- Bazilika Paleokristiane;

Gjithashtu, edhe biletaria e Parkut Arkeologjik të Finiqit, nuk është prekur nga zjarret, pasi edhe biletaria ka perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, por gjithashtu, biletaria është e pajisur edhe me mjetet përkatëse, mbrojtëse kundra zjarrit.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në mosdepërtimin e zjarreve në monumentet e Parkut Arkeologjik, janë edhe itineraret brenda Parkut, ku në asnjë prej tyre, nuk ka prezencë vegjetacioni, që të ndihmonte në depërtimin e zjarrit!

Aktualisht, nuk ka asnjë vatër zjarri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, në monumentet e vizitueshme të këtij Parku, pasi është bërë e mundur shuarja e tij nëpërmjet ndërhyrjes nga ajri me helikopter, nga toka me zjarrfikëse, ku kanë qenë në ndihmë edhe punonjësit e Sektorit Sarandë (në varësi të DRTK Vlorë) krahas atyre të Parkut Arkeologjik të Finiqit.

E vetmja vatër aktive, është në skajin më verior të Parkut Arkeologjik, nën kodër, pranë fshatrave Blerimas dhe Buronjë, ku në këtë të zonë nuk ka asnjë prezencë monumenti të njohur deri më sot, si dhe ku po ndërhyhet nga ajri me helikopter dhe nga toka me zjarrfikëse, për shuarjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore