Agjensia evropiane e policisë, Europol, e cila koordinoi përpjekjen për shkatërrimin e rrjetit kriminal kibernetik të quajtur “Emotet”, ka njoftuar realizimin me sukses të misionit.
CNN, agjensi lajmesh, ka shkruar se Europol e përshkruan rrjetin si “malware-in më të rrezikshëm në botë”.
Sipas Europol-it, Emotet kanë mundur të fitojnë akses në kompjuterat e përdoruesëve përmes bashkangjitjeve në email duke përfshirë dokumente që pretendoheshin të ishin fatura, njoftime transporti apo informacione rreth COVID-19.
Ai ka thënë se “në thelb infrastruktura e rrjetit Emotet ka vepruar si hyrës për sistemet kompjuterike në shkallë globale”.
Europol-i ka shtuar se “sapo u krijua kjo qasje e paautorizuar, sistemet iu shitën grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë për të vendosur aktivitete të mëtejshme të paligjshme të tilla si vjedhja e të dhënave”.
Sipas CNN, në përpjekjen globale për të marrë kontrollin e rrjetit kompromentues, kanë marrë pjesë 8 shtete. Mes tyre përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania dhe Holanda.
Europol-i ka bërë me dije se rrjeti përbëhej nga qindra servera në të gjithë botën. Gjithashtu, u ka kërkuar përdoruesëve të internetit të përditësojnë pajisjet e tyre dhe të tregojnë kujdes të shtuar në shmangien e rënies pre të sulmeve malware.
“Përdoruesit duhet të kontrollojnë me kujdes email-in e tyre dhe të shmangin hapjen e mesazheve dhe posaçërisht bashkangjitjeve nga dërgues të panjohur”.
Email-et që duhen shmangur jamë ato të cilat përmbajnë mesazhe që janë larg së vërtetës dhe gjithashtu kërkojnë një ndjesi urgjence.
Malware është përcaktimi i përbashkët për një sërë variantesh softëare-i me qëllim të keq.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com